Trump rrëzon ofertën e Iranit për paqe, tensionet në Hormuz tronditin tregjet e naftës

Presidenti amerikan, Donald Trump, hodhi poshtë përgjigjen e Iranit ndaj një propozimi amerikan për paqe, duke shkaktuar rritje të menjëhershme të çmimeve të naftës, ndërsa shqetësimet për vazhdimin e konfliktit dhe bllokimin e trafikut në Ngushticën e Hormuzit mbeten të larta.

Vetëm disa ditë pasi SHBA paraqiti një ofertë për rifillimin e negociatave, Teherani publikoi të dielën një përgjigje ku kërkonte ndalimin e luftës në të gjitha frontet, veçanërisht në Liban, ku Izraeli po përballet me militantët e Hezbollahut të mbështetur nga Irani.

Sipas mediave shtetërore iraniane, Irani kërkoi gjithashtu kompensim për dëmet e luftës dhe theksoi sovranitetin e tij mbi Ngushticën e Hormuzit. Në përgjigje përfshihej edhe kërkesa që SHBA të heqë bllokadën detare, të garantojë se nuk do të ketë sulme të tjera, të heqë sanksionet dhe të ndalojë pengimin e shitjeve iraniane të naftës.

Pak orë më vonë, Trump reagoi ashpër në rrjetin social Truth Social.

“Nuk më pëlqen – TOTALISHT E PAPRANUESHME”, shkroi ai, pa dhënë detaje të tjera.

SHBA kishte propozuar fillimisht ndalimin e luftimeve përpara nisjes së bisedimeve mbi çështje më të ndjeshme, përfshirë programin bërthamor të Iranit.

Pas refuzimit nga Trump, Teherani deklaroi të hënën se oferta iraniane ishte “bujare dhe e përgjegjshme”.

“Ne kërkojmë fundin e luftës, heqjen e bllokadës amerikane dhe lirimin e aseteve iraniane të ngrira padrejtësisht”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei.

Ndërkohë, çmimet e naftës u rritën me mbi 3.5% pas lajmeve për vazhdimin e ngërçit diplomatik, i cili po mban pothuajse të paralizuar trafikun në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë strategjike nga ku kalon rreth një e pesta e furnizimeve globale me naftë dhe gaz të lëngshëm.

Të dhënat e transportit detar tregojnë se javën e kaluar vetëm tre cisterna me naftë kaluan përmes ngushticës, ndërsa kishin fikur sistemet e gjurmimit për të shmangur sulmet iraniane.

Konflikti ka shkaktuar shqetësime edhe në SHBA, ku sondazhet tregojnë se lufta është jopopullore për shkak të rritjes së çmimeve të karburanteve, vetëm pak muaj para zgjedhjeve kombëtare që do të përcaktojnë kontrollin e Kongresit amerikan.

Nga ana tjetër, aleatët e NATO-s kanë refuzuar të dërgojnë anije për të hapur Ngushticën e Hormuzit pa një marrëveshje të plotë paqeje dhe mandat ndërkombëtar.

Trump pritet të mbërrijë të mërkurën në Pekin, ku konflikti me Iranin dhe kriza energjetike globale do të jenë pjesë e diskutimeve me presidentin kinez, Xi Jinping.