Irani ka dërguar përgjigjen e tij ndaj një propozimi amerikan për nisjen e bisedimeve të paqes me synim përfundimin e luftës, raportoi të dielën agjencia shtetërore iraniane IRNA. Ndërkohë, dy anije tregtare u lejuan të kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit, e cila vazhdon të jetë pjesërisht e bllokuar.
Sipas raportimit, përgjigjja iraniane ndaj propozimit të SHBA-së – që synon ndërprerjen e luftimeve përpara diskutimeve mbi çështje më të ndjeshme, përfshirë programin bërthamor të Teheranit – është dërguar në Pakistan, vend që po ndërmjetëson negociatat. Detaje të tjera nuk janë bërë publike.
Pas rreth 48 orësh qetësie relative, pas përplasjeve sporadike të javës së kaluar, të dielën u raportua për dronë armiqësorë mbi disa vende të Gjirit Persik, duke treguar se rreziku për rajonin mbetet i lartë pavarësisht armëpushimit njëmujor.
Megjithatë, anija “Al Kharaitiyat”, e operuar nga QatarEnergy, kaloi pa probleme përmes Ngushticës së Hormuzit dhe ishte nisur drejt Port Qasim në Pakistan. Sipas të dhënave të kompanisë së analizës detare Kpler, kjo është anija e parë nga Katari që transporton gaz të lëngshëm natyror dhe kalon nëpër ngushticë që nga nisja e luftës mes SHBA-së dhe Izraelit më 28 shkurt.
Burime të afërta me zhvillimet thanë se Irani kishte miratuar kalimin e saj për të ndërtuar besim me Katarin dhe Pakistanin, të dy vende ndërmjetësuese në konflikt.
Po ashtu, një anije mallrash me flamur panamez, e nisur drejt Brazilit dhe që kishte tentuar më parë të kalonte më 4 maj, arriti të tranzitojë përmes një rruge të përcaktuar nga forcat e armatosura iraniane, raportoi agjencia gjysmëzyrtare Tasnim.
Trump nën presion për t’i dhënë fund luftës para vizitës në Kinë
Presidenti amerikan Donald Trump pritet të vizitojë Kinën këtë javë, ndërsa po rritet presioni ndërkombëtar për t’i dhënë fund konfliktit, i cili ka shkaktuar krizë globale energjetike dhe po kërcënon ekonominë botërore.
Pavarësisht përpjekjeve diplomatike dhe kalimit të tankerëve, kërcënimi ndaj rrugëve detare dhe ekonomive të rajonit mbetet i lartë.
Emiratet e Bashkuara Arabe njoftuan të dielën se kishin interceptuar dy dronë të ardhur nga Irani, ndërsa Katari dënoi një sulm me dron ndaj një anijeje mallrash në ujërat e tij. Edhe Kuvajti deklaroi se mbrojtja ajrore kishte neutralizuar dronë armiqësorë që kishin hyrë në hapësirën e tij ajrore.
Teherani ka kufizuar ndjeshëm kalimin e anijeve jo-iraniane përmes Ngushticës së Hormuzit, një korridor strategjik ku para luftës kalonte rreth një e pesta e furnizimit botëror me naftë.
Kryeministri i Katarit, Mohammed bin Abdulrahman al-Thani, gjatë një bisede telefonike me ministrin e Jashtëm iranian Abbas Araqchi, paralajmëroi se përdorimi i Ngushticës së Hormuzit si “mjet presioni” vetëm sa do ta përshkallëzonte krizën.
Ndërkohë, ligjvënës iranianë po hartojnë një projektligj për formalizimin e kontrollit iranian mbi ngushticën, duke përfshirë ndalimin e kalimit për anijet e “shteteve armiqësore”.
SHBA kritikon aleatët për mungesë mbështetjeje
Shtetet e Bashkuara kanë vendosur bllokadë ndaj anijeve iraniane muajin e kaluar, por Teherani deri tani nuk ka treguar nxitim për t’iu përgjigjur thirrjeve për t’i dhënë fund luftës.
Sipas një zyrtari amerikan, një vlerësim i CIA-s kishte arritur në përfundimin se Irani nuk do të përballej me presion të rëndë ekonomik nga bllokada amerikane për të paktën katër muaj të tjerë. Megjithatë, një tjetër zyrtar i inteligjencës amerikane i cilësoi të pavërteta pretendimet mbi këtë analizë.
Në të njëjtën kohë, SHBA-ja po përballet me mungesë mbështetjeje nga aleatët e NATO-s, të cilët kanë refuzuar të dërgojnë anije ushtarake për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit pa një marrëveshje të plotë paqeje dhe mandat ndërkombëtar.
Pas takimit me kryeministren italiane Giorgia Meloni, sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio kritikoi aleatët për mungesën e mbështetjes ndaj përpjekjeve amerikane, duke paralajmëruar për një precedent të rrezikshëm nëse Teherani do të lejohej të kontrollonte një rrugë ujore ndërkombëtare.
Britania e Madhe njoftoi të shtunën se do të dislokojë një anije luftarake në Lindjen e Mesme, në kuadër të përgatitjeve për një mision shumëkombësh që synon garantimin e lirisë së lundrimit në rajon.