I riu emigrant që shau qeverinë u ndalua nga policia, Kapri shkon në Shkodër. I kthehet makina pas ndërhyrjes (VIDEO)

Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, është rikthyer sërish sot në Shkodër, pas përplasjes dy ditë më parë në Rrjoll, ku një i ri emigrant u shoqërua nga Policia në Komisariat pasi shprehu kritika ndaj qeverisë.

Policia pretendoi se i riu ka fyer forcat e rendit dhe i bllokoi edhe makinën të cilën e kishte marrë me qira pasi sapo kishte zbritur në Rinas.

Sot, Kapri ka qenë personalisht në Komisariatin e Policisë Shkodër për të ndjekur procedurat lidhur me kthimin e automjetit të sekuestruar të emigrantit nga Anglia.

Në reagimin e tij Kapri shkruan:

“Erdha në Shkodër. Morëm makinën e Zefit që ia bllokoi policia se kritikoi qeverinë e Ramës. Faleminderit Zef për guximin dhe kurajon! Djem si ti, që nuk kanë frikë të ngrenë zërin, pavarësisht pasojave, i japin zemër të gjithëve. Vetëm kështu mund t’ia dalim!”

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj ishte të mërkurën në Rrjoll, së bashku me deputetin Erald Kapri, pranë banorëve që prej 100 ditësh protestojnë kundër zaptimit të pronave të tyre, në të cilat qeveria ka dhënë leje për ndërtimin e një resorti.

Shehaj dhe Kapri kanë shprehur vijimin e mbështetjes së tyre për protestën e drejtë të banorëve për mbrojtjen e tokave të tyre të trashëguara.

“Mundësia” ka qenë në krah të banorëve të Rrjollit që nga dita e parë e protestës së tyre duke e quajtur çështjen e pronës të shenjtë.