Kur pushteti të “ikën nga duart”! Rasti Veliaj, nga sulmet ndaj gazetarëve te kërkesa për mediat në gjyq

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i akuzuar nga SPAK për korrupsion dhe vepra të tjera penale, qëndron në burg që prej shkurtit të vitit 2025.

Teksa dosja e tij ka kaluar për gjykim, Veliaj ka kërkuar që seancat gjyqësore të jenë të hapura për median dhe publikun.

Edhe në gjyqin që ka me prokurorin e SPAK, Ols Dado, Veliaj kërkoi seanca publike, por kërkesa e tij u rrëzua. Megjithatë, burgu e ka bërë Veliajn të reflektoj dhe të kërkoj mediat, dhe transmetim live të seancave të tij…

Por po të kthehemi pas në kohë, Veliaj ishte ndër politikanët që ka sulmuar hapur mediat dhe gazetarët, ndërsa sot i kërkon me ngulm. Mjafton të ndalemi te nje episod, ku Veliaj sulmoi gazetarët që sipas tij “japin mend pasi janë bërë llucë në kazino”, vetëm se këta e pyetën në lidhje me drejtorët e tij, të cilët ndodhen sot ende në burg për aferën e dosjes “5D”.

“Të rrish në studio e të japësh mend se në Tiranë nuk bëhet asnjë punë, pasi je bërë llucë në kazino, është kollaj. Nga divani të gjithë janë mjeshtra, tregojnë edhe si qeveriset bota, planeti dhe universi. Të dalësh në rrugë me fshesë, me lopatë, të sigurohesh që krasitet, që pastrohet, t’i rrish punës tek koka, ky është heroizmi i shekullit ku jetojmë dhe këta janë njerëzit, heronjtë tanë të punës”, u shpreh Veliaj.

Një tjetër gazetari do t’i nxirrte truprojat, pasi e pyeti për përgjimet e Antimafias italiane lidhur me lejet e ndërtimit në Tiranë.

“Duhet të qetësohesh, nuk jam terapisti yt”. Me këto fjalë do t’i drejtohej gazetares Ornela Liperi në emisionin Opinion vite më përpara, teksa diskutohej për lejet që kishte dhënë Bashkia e Tiranës për ndërtimin e kullave në kryeqytet.

Ndërkohë vetëm pak ditë më parë, gazetari Aulon Kalaja fitoi gjyqin me Veliajn, pasi ky i fundit e kishte paditur për shpifje në lidhje me disa deklarata të bëra ne emision.

Në vitin 2023 do të padiste po për shpifje edhe gazetarin Bledian Koka, por më pas do ta tërhiqte padinë e tij.

Por sot Erion Veliaj “ ka ndryshuar”. Nga politikani që sulmonte dhe padiste gazetarët, është kthyer në të pandehurin që kërkon praninë e mediave në gjyqin ku akuzohet për korrupsion dhe disa vepra të tjera penale.