Gjykata e Lartë ka ndryshuar masën e sigurisë për ish-drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj nga “arrest shtëpie” në “detyrim paraqitje”.
Sipas vendimit, ish-drejtoreshës së AKSHI-t i ndalohet të dalë jashtë vendit.
Karçanaj akuzohet nga SPAK për veprat penale: “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.
Sipas hetimit të SPAK, një grup personash kanë vepruar në bashkëpunim për të kontrolluar procedurat e prokurimit në AKSHI, duke paracaktuar fituesit e tenderëve dhe duke ndërtuar kritere përjashtuese për operatorët ekonomikë që nuk ishin pjesë e skemës.
Sipas SPAK, bizneset që kanë ushtruar të drejtën ligjore të ankimit ndaj procedurave të prokurimit të AKSHI-t janë identifikuar shpejt nga grupi i strukturuar kriminal si “rrezik” për vazhdimësinë e skemës.
Në vend që ankesat të përballeshin në rrugë institucionale, mekanizmi kriminal ka zgjedhur rrugën e frikësimit. Kërcënimet kanë pasur për qëllim të qartë të detyronin operatorët ekonomikë të tërhiqeshin nga procedurat e ankimit dhe të hiqnin dorë nga çdo përpjekje për të ndjekur çështjen ligjërisht.
Vendimi
1. Lënien në fuqi të vendimit nr. 4 (87-2026-50) datë 05.02.2026 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për sa i përket disponimit në lidhje me rekursuesit Erjon Ismaili dhe Gëzim Hoxha.
2. Ndryshimin e vendimit nr. 4 (87-2026-50) datë 05.02.2026 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në lidhje me rekursuesen Mirlinda Karçanaj.
a. Caktimin e masës së sigurimit “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, parashikuar nga neni 233 i Kodit të Procedurës Penale, duke u urdhëruar personi nën hetim Mirlinda Karçanaj të mos largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë pa autorizimin e gjykatës.
b. Caktimin e masës së sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale, duke u urdhëruar personi nën hetim Mirlinda Karçanaj të paraqitet pranë policisë gjyqësore, të martën e parë dhe të tretë të çdo muaji ora 10:00.
3. Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me ekzekutimin e këtij vendimi.