Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, në një konferencë për mediat u ndal edhe te protesta e opozitës, e cila do të mbahet nesër para Kryeministrisë.
Hita ka thënë se opozita ka marrë leje për zhvillimin e këtij tubimi, ndërsa shtoi se Policia i ka marrë të gjitha masat për një protestë paqësore.
“Në rast të veprimeve jo ligjore nga ana e protestueseve do të procedojmë në bazë të procedurave standarde”, tha Hita.
“Për sa i përket protestës që do të zhvillohet nesër, Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat që të marrë detyrimet e saj për sa i përket një protestë të qetë dhe paqësore. Kjo protestë do të zhvillohet dhe leja është kërkuar për ta bërë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit dhe aty duhet të jetë e përqëndruar. Në rast të veprimeve jo ligjore nga ana e protestueseve do të procedojmë në bazë të procedurave standarde”, tha Hita.
Ndërkohë ai u pyet nga gazetarët edhe për aksidentin tragjik në Durrës, ku humbën jetën dy të mitur.
Ai tha se ishte një ngjarje shumë e rëndë, ndërsa shpjegoi edhe arsyet se përse vendosi pezullimin e drejtuesve të Policisë së Durrësit.
“Ishte një ngjarje shumë e rëndë, që ka tronditur gjithë opinionin publik dhe, njëkohësisht, edhe mua personalisht. Pezullimi i punonjësve të policisë lidhet me verifikimin që po kryen Drejtoria e Standardeve Profesionale, për të parë hap pas hapi të gjithë procedurën dhe mënyrën se si kanë vepruar punonjësit e policisë në atë zonë, si edhe për të nxjerrë mësime që do të shërbejnë për rritjen e sigurisë rrugore në komunitet”, tha Hita.