Respektimi i rregullores është kthyer në një “vijë të kuqe” për kreun e Kuvendit, Niko Peleshin, i cili edhe gjatë seancës së sotme plenare i ka mohuar të drejtën e fjalës deputetëve të opozitës.
Sot ishte radha e Agron Shehajt, të cilit pasi iu refuzuan 2 interpelanca, iu mohua edhe e drejta e fjalës për 10 minuta, siç e parashikon edhe Rregullorja e Kuvendit të Shqipërisë.
Sipas Peleshit, Shehaj nuk mund të merrte fjalën pasi duhej të bënte kërkesë pas marrjes së përgjigjes së refuzimit dhe kishte kaluar koha, duke “harruar” se Kuvendi ka qenë me pushime për shkak të “javës së gjelbër”.
Pas këtij veprimi të Peleshit, në drejtim të tij dhe mazhorancës kanë ardhur disa akuza të forta nga Shehaj. Ai tha se mazhoranca dhe vetë Peleshi janë marrë peng nga Belinda Balluku, e cila i detyroi të votonin kundër arrestimit të saj nga SPAK.
Sipas Shehajt, Balluku i ka vënë përpara të gjithë, duke u bërë vetë edhe kryeministre, edhe kryetare Parlamenti.
Pas këtyre akuzave, kreu i Kuvendit vendosi dy masa disiplinore për Shehajn, duke e paralajmëruar se do ta përjashtonte nga seanca nëse do të vijonte të fliste në sallë.