Është zbardhur dëshmia e Nikoll Radaçit, i cili shkaktoi aksidentin tragjik ku humbën jetën dy fëmijë të mitur, 10 dhe 12 vjeç, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur.
57 vjeçari ka thënë në gjyq se para se të shkaktonte aksidentin një moment i ka prerë rrugën.
Radaçi tha se devijoi për të shmangur automjetin dhe përfundoi sipër trotuarit, ku të miturit po luanin me njëri tjetrin.
Ai pretendon se nuk është larguar nga vendi i ngjarjes, por ka shkuar në një dyqan ku ju ka thënë punonjësve që të njoftojnë policinë.
Radaçi mohon të ketë qenë me shpejtësi, duke thënë se lëvizte se 30 km/h.
“Rreth orës 14:00 dola nga shtëpia bashkë me mjetin dhe do shkoja të merrja një vegël pune te një shoku im. Unë po drejtoja automjetin në korsinë e djathtë dhe papritur në një rrugicë lagjeje doli një automjet. Unë devijova për të shmangur këtë automjet dhe kam përfunduar sipër trotuarit të anës së majtë të rrugës. Pasi hipa në trotuar jam përfshirë në aksident me disa fëmijë që ndodheshin dhe kam shkuar disa metra më përpara. Unë dola nga makina dhe kam shkuar tek një dyqan aty pranë ku punonjësve të dyqanit ju kam thënë të njoftojnë policinë pasi kam bërë aksident. Unë kam qëndruar tek dyqani deri sa erdhi policia dhe më mori për në komisariat”, mësohet të jetë shprehur 57 vjeçari.
Pyetje: Ju pretendoni që automjeti ju ka ndërprerë rrugën, a ju kujtohet ndonjë detaj në lidhje me këtë mjet?
lidhje me ketë automjet?
Përgjigje: Për momentin nuk më kujtohet asnjë detaj.
Pyetje: A i njeh fëmijët me të cilët jeni përfshirë në aksident?
Përgjigje: Jo nuk i njoh.
Pyetje: Me çfarë shpejtësie keni qenë në momentin e aksidentit?
Përgjigje: Unë kam qenë me rreth 30 km/h.
Pyetje: Në zbatim të procedurës standarde ju është bërë testi i alkoolit, i cili ka rezultuar në masën 0.73 mg/l testi i parë dhe 0.70 mg/l testi i dytë. A keni konsumuar alkool përpara se të drejtonit automjetin?
Përgjigje: Përpara se të drejtoja automjetin unë kam pirë një birrë në mëngjes.
Pyetje: A keni gjë tjetër për të shtuar?
Përgjigje: Gjë tjetër nuk kam për të shtuar, sa më sipër janë thëniet e mia të cilat pasi i gjej të shkruajtura drejt, i firmos pa vërejtje.