Një aksident tragjik ka ndodhur sot në Durrës ku një makinë ka përplasur për vdekje 2 fëmijë.
Policia në një njoftim zyrtar thotë se “rreth orës 14:20, në lagjen nr. 15, në Durrës, një automjet i drejtuar nga shtetasi N. R., rreth 57 vjeç, ka aksidentuar tre fëmijë të mitur, të moshës rreth 10 vjeç.
Si pasojë e aksidentit, dy prej të miturve kanë humbur jetën, ndërsa i mituri tjetër është në gjendje të rëndë dhe po transportohet për ndihmë më të specializuar në Tiranë.
Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme.
Burime për mediat bëjnë me dije se shoferi i Benz-it ka rezultuar në gjendje të dehur.
Ai ka qenë me shpejtësi kur mjeti i ka devijuar dhe ka kaluar në trotuar ku luanin tre fëmijët.
Për pasojë dy prej tyre kanë marrë plagë të rënda, duke u shkaktuar vdekjen, ndërsa fëmija që mbeti i plagosur është transportuar drejt Tiranës.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.