Një 31-vjeçar është vënë në pranga në Tiranë pasi në makinë iu gjetën 1000 fara kanabisi të cilat do t’i shiste.
Gjatë operacionit të zhvilluar nga Komisariati Nr. 2, në Rruga e Dafinave, shërbimet e policisë kanë ndaluar një automjet që drejtohej nga Renis Aliaj.
Gjatë kontrollit në mjet, policia ka gjetur një qese me rreth 1000 fara të dyshuara narkotike të llojit Cannabis Sativa.
Në përfundim të veprimeve procedurale, 31-vjeçari është arrestuar në flagrancë, ndërsa janë sekuestruar farat narkotike dhe automjeti tip “Benz” që ai drejtonte.
Njoftimi:
Tiranë/Finalizohet nga Komisariati Nr. 2, operacioni i koduar “Procesi”, me qëllim parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.
Arrestohet një shtetas që lëvizte me automjet, në Rrugën e Dafinave, për të shitur 1000 fara Cannabisi.
Si rezultat i rritjes së vigjilencës së shërbimeve të Policisë, si dhe intensifikimit të punës operative, me fokus parandalimin dhe goditjen që në fazë fillestare, të veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 finalizuan operacionin e koduar “Procesi”.
Në kuadër të operacionit, në Rrugën e Dafinave, u ndalua automjeti që drejtonte shtetasi R. A. Në automjet u gjet një qese me 1000 fara të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.
Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestua në flagrancë shtetasi R. A., 31 vjeç, banues në Tiranë, si dhe u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, farat narkotike dhe automjeti tip “Benz” që drejtonte 31-vjeçari.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.