Presidenti amerikan Donald Trump ka kritikuar ashpër kancelarin gjerman Friedrich Merz, duke i kërkuar që të fokusohet më shumë në përfundimin e luftës Rusi–Ukrainë dhe më pak në çështjet që lidhen me Iranin.
Në një postim në platformën Truth Social të enjten, Trump tha se Merz duhet të përqendrohet në “zgjidhjen e problemeve të vendit të tij”, duke përmendur veçanërisht emigracionin dhe energjinë, si dhe atë që ai e quajti “paaftësi në menaxhimin e luftës Rusi–Ukrainë”.
“Chancellor i Gjermanisë duhet të kalojë më shumë kohë duke u përpjekur të përfundojë luftën Rusi–Ukrainë (ku ka qenë plotësisht i paefektshëm!) dhe të rregullojë vendin e tij të shkatërruar, veçanërisht në çështjet e emigracionit dhe energjisë, dhe më pak kohë duke u përfshirë në përpjekjet për eliminimin e kërcënimit bërthamor të Iranit,” shkroi Trump.
Deklaratat e Trump vijnë pas përplasjeve të fundit verbale mes tij dhe kancelarit gjerman, lidhur me qëndrimet ndaj konfliktit dhe negociatave për Iranin. Trump e kishte kritikuar më herët Merz-in, duke thënë se ai “nuk e di për çfarë flet”, pas deklaratave të liderit gjerman mbi situatën në bisedimet me Iranin.
Përplasjet mes dy liderëve janë intensifikuar ditët e fundit, në një kohë tensionesh të larta ndërkombëtare për çështjet e sigurisë dhe konflikteve globale.