Është gjetur makina e dytë e autorëve, të cilët pak ditë më parë ekzekutuan me armë zjarri Kreshnik Mujecin dhe bashkëshorten e tij, Gentjana Mujeci.
Mësohet se mjeti tip “Audi A4” u gjet në Torovicë, në një rrugë dytësore. Brenda tij kishte dokumente që u përkasin autorëve të shpallur në kërkim.
Makina që dyshohet se është përdorur nga autorët për të vëzhguar dy viktimat, pritet që t’i nënshtrohet ekspertizës kriminalistike.
Ndërkohë një ditë më parë po në Torovicë u gjet edhe një tjetër mjet, i përdorur nga autorët.
Kujtojmë se ngjarja e rëndë u regjistrua të dielën e kaluar, ku çifti Mujeci u ekzekutuar teksa ndodheshin në mjetin e tyre.
Policia ka shpallur në kërkim Renato dhe Florin Mhillaj, të dyshuar si autorë të vrasjes së çiftit Mujeci. Së bashku me ta, i dyshuar i tretë është edhe Adriano Mhillaj, ndërsa të tre janë shpallur në kërkim.
Ndërkohë, në mënyrë intensive dhe të pandërprerë, vijon kontrolli i zonave për lokalizimin dhe kapjen e autorëve të shpallur në kërkim.