Rama paralajmëron Spiropalin me përjashtim nga PS, nuk e lejon as të flasë në fund të mbledhjes

Përplasja mes Edi Ramës dhe Elisa Spiropalit vijon të jetë e fortë, aq sa sot në mbledhjen e Grupit Parlamentar, kryeministri e ka paralajmëruar deputeten me përjashtim nga Partia socialiste.

Burime për mediat bëjnë me dije se gjatë fjalës së tij, Rama u ndal te Spiropali dhe e kritikoi për mungesën në votime, pro edhe për postimet e saj në rrjetet sociale.

“Herën e parë nuk erdhe në votim. Herën e dytë bërë çarçafin (i referohet postimit në facebook) dhe herën e tretë nuk ka, del jashtë këtij grupi”, mësohet të ketë thënë Rama, raporton Euronews Albania.

Sipas kryeministrit, brenda Partisë Socialiste nuk mund të krijohen drama, ndaj Spiropali ose duhet të jetë me PS-në, ose kundër partisë.

“Tek puna e partisë nuk mund të bëni drama, dhe për këtë po të drejtohem ty Elisa. Nuk dua të krijoni situata në parti. Partia ka dy ngjyra, bardhë e zi. ose bardhë dhe me ne, ose zi dhe përballë nesh.”

Ndërkohë, në fund të mbledhjes, Rama nuk e ka lejuar Spiropalin as të marrë fjalën për t’i kthyer përgjigje.

“Ti s’mund të replikosh këtu, ti nuk merr fjalë më, me ty është investuar PS dhe unë”, mësohet të ketë thënë kryeministri në përfundim të diskutimit.