Në datë 1 Prill të këtij viti, ambasada amerikanë bëri një njoftim të rëndësishëm, duke ngritur alarmin se grupe të lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara, ose elementë të opozitës iraniane në Shqipëri.
Sipas ambasadës, këto grupe mund të synonin vende publike, që frekuentohen nga turistët, si qendra tregtare, hotele, klube dhe restorante në vendin tonë.
“Grupet e lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara ose elementë të opozitës iraniane në Shqipëri.
Ata gjithashtu mund të synojnë vende të zakonshme, të tilla si vende turistike, qendra tregtare, hotele, klube dhe restorante. Ne i inkurajojmë qytetarët amerikanë të ushtrojnë vigjilencë të shtuar”, thuhej në njoftimin e ambasadës.
Ky paralajmërim duket se kaloi në “heshtje” nga autoritetet tona, të cilat e konsideruan atë si një njoftim standard.
Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha u shpreh se nuk ka asnjë arsye për të qenë të alarmuar, pasi deklarata të tilla janë të zakonshme nga ambasadat amerikane në çdo shtet.
Po ashtu edhe Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari në një konferencë për mediat theksoi se lajmërimi i bërë nga ambasada e SHBA-së në Tiranë për situatën e sigurisë, është standard dhe është bërë edhe në vende të tjera të botës, përfshi edhe të Bashkimit Europian. Ndërkohë shtoi se kishte kërkuar nga strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit për masat dhe komunikimet me përfaqësues të ambasadës.
“Duke marrë parasysh reagimin publik të ambasadës së SHBA-së kam kërkuar nga strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit, përfshirë strukturat Antiterror dhe Policinë Kriminale për të më informuar lidhur me masat që kanë marrë dhe komunikimet që kanë pasur me përfaqësues të ambasadës”, tha ministri.
Edhe sipas Ministrit të Mbrojtjes Ermal Nufi, nuk ka vend për shqetësim pasi thirrja ka qenë për të gjitha vendet europiane, jo vetëm për Shqipërinë.
Por tre javë pas paralajmërimit të ambasadës amerikane, qetësia u prish në kryeqytet pas dy alarmeve për bomba në dy qendra tregtare, të cilat më pas rezultuan false.
Të shtunën, u dha alarmi për bombë në qendrën “Toptani”, që ndodhet në zemër të Tiranës. Për pasojë u evakuuan të gjithë njerëzit që ndodheshin brenda, së bashku me stafin. Pas verifikimeve, alarmi rezultoi fals.
E njëjta situatë u përsërit në qendrën tregtare “QTU” një ditë më pas, duke krijuar frikë dhe panik mes njerëzve.
Se kush qëndron pas telefonatave për alarm për bombë në qendrat tregtare nuk dihet ende, pasi policia nuk ka ende të dyshuar, por duhet thënë se ato vijnë pas paralajmërimit të ambasadës amerikane, që ndoshta nuk duhet të ishte marrë si një njoftim standard, por duhet të kishte vënë në lëvizje autoritetet tona.