Një ilaç 4,000-vjeçar, i përdorur më së shumti për lehtësimin e dhimbjes, po rezulton se parandalon formimin dhe përhapjen e disa tumoreve në trup – zbulime që tashmë po ndikojnë në politikat shëndetësore.
Nick James, një zejtar britanik në të 40-at, u shqetësua për shëndetin e tij pasi nëna i vdiq nga kanceri dhe vëllai, së bashku me disa anëtarë të tjerë të familjes, zhvilluan kancer të zorrës së trashë. Ai vendosi të kryente testim gjenetik dhe rezultoi mbartës i një gjeni të dëmtuar që shkakton Sindromën Lynch, një gjendje që rrit ndjeshëm rrezikun për këtë lloj kanceri.
Ndihma erdhi nga një burim i papritur, kur James u bë personi i parë që u regjistrua në një studim klinik që synonte të testonte nëse një dozë e përditshme aspirine, një ilaç i zakonshëm pa recetë mund të mbronte nga zhvillimi i kancerit.
Rreth 80% e personave me sindromën Lynch zhvillojnë kancer të zorrës së trashë gjatë jetës. Por deri tani, gjendja e James duket premtuese. “Ai ka marrë aspirinë për 10 vite dhe nuk ka zhvilluar kancer deri më tani,” thotë John Burn, profesor i gjenetikës klinike në Universitetin e Newcastle, i cili drejtoi studimin.
Edhe pse tingëllon e pabesueshme, prej kohësh ka pasur indikacione se aspirina mund të ulë rrezikun e përhapjes së kancerit kolorektal, apo madje edhe shfaqjen e tij. Në vitin e fundit, një sërë studimesh e kanë forcuar këtë provë. Disa vende kanë ndryshuar tashmë udhëzimet mjekësore, duke përfshirë këtë ilaç si mbrojtje fillestare për personat me rrezik të lartë (megjithatë ekspertët theksojnë se kjo duhet bërë vetëm nën mbikëqyrjen e mjekut). Gjithashtu, shkencëtarët po fillojnë të kuptojnë mekanizmat e këtij efekti.
Rrënjë të lashta
Zbulimet e fundit shtojnë një dimension të ri në historinë e një prej ilaçeve më të vjetra dhe më efektive. Në fund të shekullit XIX, arkeologët zbuluan pllaka balte 4,400-vjeçare në qytetin e lashtë mesopotamian Nippur (Iraku i sotëm), ku përshkruheshin ilaçe të përbëra nga elemente bimore, shtazore dhe minerale. Mes tyre ishte edhe një substancë nga pema e shelgut.
Sot dihet se ajo përmban salicinë, e cila në trup shndërrohet në acid salicilik që lehtëson dhimbjen. Struktura e saj është e ngjashme me aspirinën moderne (acid acetilsalicilik), por më irrituese për stomakun. Edhe qytetërime të tjera si egjiptianët, grekët dhe romakët e përdornin këtë kurë.
Studimi modern filloi në vitin 1763, kur prifti anglez Edward Stone përshkroi vetitë e lëvores së shelgut kundër temperaturës. Një shekull më vonë, shkencëtarët arritën të sintetizonin formën më të sigurt të saj dhe e hodhën në treg me emrin Bayer.
Një shekull tjetër më pas, u zbuluan përfitimet e aspirinës në parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare, duke ulur rrezikun e mpiksjes së gjakut. Për këtë arsye, institucione si NHS në Britani rekomandojnë doza të ulëta për persona me rrezik të lartë për infarkt apo goditje në tru.
Në vitin 1972, u shfaqën edhe indicie për efektet kundër kancerit, kur një studim tek minjtë tregoi se aspirina ulte ndjeshëm përhapjen e tumoreve.
Megjithatë, për shumë kohë nuk ishte e qartë nëse këto rezultate vlejnë për njerëzit.
Një kthesë e rëndësishme
Në vitin 2010, studiuesi Peter Rothwell analizoi të dhëna të shumta dhe zbuloi se aspirina ulte jo vetëm shfaqjen, por edhe përhapjen e kancerit, duke ringjallur interesin shkencor.
Por studimet te popullata e gjerë janë shumë të vështira dhe të kushtueshme, pasi kanceri mund të zhvillohet pas dekadash. Për këtë arsye, studiuesit janë fokusuar te grupet me rrezik të lartë.
Prova gjithnjë e më të forta
Studimi i John Burn mbi pacientët me Sindromën Lynch tregoi se marrja e 600 mg aspirinë çdo ditë për të paktën dy vite uli me 50% rrezikun e kancerit të zorrës së trashë.
Studime të reja sugjerojnë se edhe doza më të ulëta (75–100 mg) mund të jenë po aq efektive dhe më të sigurta.
Megjithatë, aspirina mund të ketë efekte anësore si gjakderdhje apo ulçera, ndaj përdorimi duhet bërë me kujdes.
Në Suedi, këto rezultate kanë ndryshuar praktikën mjekësore: pacientët me kancer të zorrës testohen për mutacione specifike dhe trajtohen me aspirinë nëse është e përshtatshme.
Studime të tjera janë në zhvillim për të parë nëse aspirina ndihmon edhe kundër llojeve të tjera të kancerit.
Si funksionon?
Mekanizmi nuk është plotësisht i qartë. Një teori lidhet me enzimën Cox-2, që ndikon në rritjen e qelizave. Një tjetër sugjeron se aspirina ndihmon sistemin imunitar të njohë dhe të luftojë qelizat kancerogjene, duke ndikuar në faktorët e mpiksjes së gjakut.
A është zgjidhje për të gjithë?
Jo domosdoshmërisht. Disa studiues mendojnë se përdorimi duhet të zgjerohet, por të tjerë paralajmërojnë për rreziqet.
Për personat me rrezik të lartë, si ata me Sindromën Lynch ose me histori kanceri, aspirina mund të jetë e dobishme – por gjithmonë me këshillën e mjekut.
Ndërsa kërkimet vazhdojnë, mbetet për t’u parë nëse ky ilaç i lashtë do të vazhdojë të jetë pjesë e mjekësisë edhe për mijëra vite të tjera.