Edison Memolla ankimon dënimin në Gjykatën e Lartë, caktohet relatori i çështjes

Ish-kryebashkiaku i Rrogozhinës, Edison Memolla, ka depozituar rekurs në Gjykatën e Lartë, duke kërkuar rrëzimin e vendimit të Apelit të Posaçëm që e dënoi me 1 vit burg për korrupsion zgjedhor.

Mësohet se për shqyrtimin e kësaj çështjeje është caktuar si relator gjyqtari Genti Shala, i cili do të vlerësojë argumentet e paraqitura në rekurs.

Pas vendimit të Apelit, Memolla u paraqit vetë pranë autoriteteve dhe aktualisht po vuan dënimin në burgun e Rrogozhinës. Ndërkohë, drejtimi i bashkisë është kaluar përkohësisht në duart e një drejtuesi të komanduar.

Hetimi ndaj tij nisi pas publikimit të një audioje të përgjuar, ku Memolla dëgjohej teksa ndërhynte tek një punonjës i OSHEE-së për të shmangur ndërprerjen e energjisë elektrike për një qytetar debitor.

Tashmë pritet që Gjykata e Lartë të vendosë mbi fatin e këtij dënimi, duke përcaktuar nëse vendimi i mëparshëm do të mbetet në fuqi apo do të ndryshohet.