Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Mamaj të Tepelenës, ku dy persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e shpërthimit të një granate.
Sipas informacioneve paraprake, një 27-vjeçar ndodhej në një kasolle ku dyshohet se mbaheshin lëndë shpërthyese, kur njëra prej granatave ka shpërthyer në dorën e tij. Si pasojë e shpërthimit, ai ka pësuar dëmtime shumë të rënda, teksa dyshohet se ka humbur të dyja duart.
I riu është transportuar fillimisht drejt spitalit dhe më pas është nisur me urgjencë drejt Tiranës për trajtim më të specializuar.
Nga shpërthimi ka mbetur i plagosur edhe një tjetër i ri, rreth të 20-ave, i cili ka marrë dëmtime në kokë dhe në fytyrë. Ai ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Gjirokastrës, ndërsa pritet që edhe ai të transportohet drejt Tiranës për ndihmë më të specializuar mjekësore.
Dyshohet se lënda shpërthyese ndodhej në kasollen ku ndodheshin të rinjtë në momentin e incidentit, ndërsa rrethanat e plota të ngjarjes mbeten ende të paqarta.