Porositi vrasjen e gruas, burgim të përjetshëm për Naim Murselin

Gjykata Themelore e Prishtinës, ka dënuar me burgim të përjetshëm Naim Murselin për vrasjen e gruas së tij, Liridona Ademaj.

Me burgim të përjetshëm është dënuar edhe i akuzuari tjetër Granit Plava ndërsa Kushtrim Kokalla është dënuar me 30 vjet burg.

Në përfundim të seancës, vëllai i Liridonës u ndal në një komunikim për mediat, duke thënë se sot u vërtetua ajo çfarë familja ka thënë që prej fillimit, ndërsa shtoi se ky dënim duhet të jetë mësim për të gjithë ata që bëjnë krime të tilla.

‘’Ajo çfarë u vërtetua sot, është ajo çfarë kemi  thënë qe nga fillimi, se Naimi së bashku me Kushtrimin, duke e zgjedhur Granitin si vrasës e kanë organizuar këtë krim. Ky vendim sot nuk shkon vetëm për ne, shkon për Liridonen, për fëmijët e saj. Andaj ky dënim edhe mësim për të gjithë ata që mundohen apo krijojnë mundësi që ta bëjnë një krim të tillë’’, ka thënë ai.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 29 nëntorit të 2023-ës, Liridona Ademaj u vra në një rrugë në fshatin Bërnicë të Prishtinës, teksa ishte në veturë bashkë me bashkëshortin Naim Murselin dhe dy fëmijët e tyre.

Aktakuza e ngarkon Murselin se kishte planifikuar vrasjen e saj, me qëllim që të përfitonte nga sigurimi i saj jetësor në Suedi, në vlerë prej rreth 260 mijë eurosh.

Plava akuzohet se vrau Ademajn me armë zjarri, duke e qëlluar në kokë, sipas ekspertit mjekoligjor, në një largësi prej 2 deri në 5 centimetra. Sipas Prokurorisë, ai e kreu vrasjen në këmbim të 30 mijë eurove nga Murseli.