Kryeministri Rama dhe Taulant Balla thirren nga GJKKO si dëshmitar për dosjen “Partizani”

Gjyakata e Posaçme ka pranuar kërkesën e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha për të thirrur si dëshmitar kryeministrin Edi Rama në cilësinë e ish-kryetarit të Bashkisë së Tiranës, në lidhje me dosjen “Partizani”.

Po ashtu dëshmitar do të jetë edhe kreu i grupit të Partisë Socialiste, Taulant Balla. Ai pritet të japë dëshminë e tij në cilësinë e personit që ka paraqitur kallëzim në lidhje me çështjen.

Sipas mbrojtjes, Rama është person kyç në këtë proces, duke pretenduar se ishte ai personi që përpiloi bazën ligjore për ndryshimin e destinacionit të truallit nga klub sportiv në shesh ndërtimi.

Ndërkaq, nuk është pranuar kërkesa që të pyetet oficeri i policisë gjyqësore, Besmir Karanxha.

Kujtojmë se pak ditë parë, jashtë dyerve të SPAK, Berisha ku ishte në zbatim të masës “detyrim paraqitje”, u shpreh i gatshëm të përballet me Kryeministrin Edi Rama në gjyq.

“Po më thirri gjykata, do të shkoj me kënaqësi, të jetë me kamera, ta shohin të gjithë shqiptarët. Të dalim, të ballafaqohemi. Por ai nuk vjen, ai këta i shumëzon me zero, i ka si ushtarë. Edi Rama është kërkuar nga të akuzuarit e dosjes që në fillim të vijë jo si dëshmitar, por në ndjekje penale. Sepse Edi Rama, një pjesë të mirë të territorit të klubit Partizani, e kishte shndërruar në një zonë urbane ndërtimi pa asnjë kërkesë të pronarëve, pa asnjë kërkesë të askujt, përveçse probabilist të peshkaqenit Olsi Rama, i cili kishte vendosur të bëhej miliarder në tokën e tjetrit”, tha Berisha.