Është ekstraduar këtë të enjte nga Italia në Shqipëri, Aleks Ndreka, i cili njihet gjithashtu me nofkën “Leksi i druve”. 49-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi dyshohet se ka organizuar pritë me qëllim vrasjen e tre shtetasve shqiptarë.
Sipas policisë, ekstradimi u realizua në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, në bashkëpunim me homologët italianë dhe specialistët e Interpol Tiranës dhe Interpol Romës.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në vitin 2023, i ka caktuar 49-vjeçarit masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Njoftimi i Policisë:
Siguroi kushtet për vrasjen e tre shtetasve shqiptarë, në vitin 2017, ekstradohet nga Italia, 49-vjeçari.
Në vijim të koordinimit të veprimeve operacionale, me homologët italianë, nëpërmjet specialistëve të Interpol Tiranës dhe specialistëve të Interpol Romës, gjatë kësaj faze të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, u finalizua procedura për ekstradimin nga Italia, në Shqipëri, të shtetasit A. N. alias A. D., 49 vjeç.
49-vjeçari ishte në kërkim ndërkombëtar, sepse Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në vitin 2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Shtetasi A. N. alias A. D. akuzohet se pasi ka siguruar informacion mbi vendndodhjen e 3 shtetasve shqiptarë, ka organizuar dhe ka koordinuar bashkëpunëtorët e tij, duke organizuar prita, me qëllim vrasjen e tyre.