Sa serioze do të bëhet kriza e karburantit të avionëve në Evropë?

Çmimet e karburantit për avionë janë rritur me 95% që nga momenti kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën sulmet ushtarake kundër Iranit më 28 shkurt. Çmimet më të larta të biletave, tarifat shtesë për karburantin dhe reduktimi i kapaciteteve ose kufizimi i linjave jofitimprurëse pritet të bëhen norma e re, paralajmërojnë analistët e energjisë.

Kufizimet e fundit të udhëtimeve ajrore në disa aeroporte italiane, për shkak të shqetësimeve mbi mungesën e karburantit të lidhur me konfliktin në Lindjen e Mesme, po ngrenë alarmin se kjo tendencë mund të përhapet edhe në aeroporte të tjera në Bashkimin Evropian.

Çmimet e karburantit për avionë janë rritur ndjeshëm që nga fillimi i sulmeve më 28 shkurt. Lufta ka çuar në mbylljen efektive të Ngushticës së Hormuzit, një rrugë jetike për tregtinë e energjisë që përpunon rreth 20% të eksporteve globale të naftës së papërpunuar, duke ushtruar presion të madh mbi tregjet globale të energjisë.

Mbyllja e kësaj ngushtice ka kufizuar rëndë furnizimet, ndërsa karburanti për avionë—një nga produktet më të prekura të rafinuara—po përballet me mungesa gjithnjë e më të mëdha gjatë muajve prill dhe maj, ka paralajmëruar Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA).

Ndërsa Azia tashmë po ndien ndikimin e kësaj rritjeje çmimesh—me disa fluturime të anuluara për shkak të varësisë së madhe nga importet e Lindjes së Mesme—Evropa mund të jetë e radhës.

Kompania ajrore skandinave SAS njoftoi se do të anulojë të paktën 1,000 fluturime gjatë muajit prill.

“Situata është sfiduese. Mbyllja efektive e Ngushticës së Hormuzit ka eliminuar mbi 20% të furnizimit global detar me karburant për avionë,” tha George Shaw, analist i lartë në kompaninë e inteligjencës tregtare Kpler, për Euronews.

Sipas tij, të paktën 42% e importeve detare të Bashkimit Evropian (EU-27) dhe Mbretërisë së Bashkuar kalonin përmes kësaj ngushtice.

Sigurimi i furnizimit dhe rafinimi vendas

Megjithatë, nëse vendet arrijnë të sigurojnë furnizime alternative, analistët thonë se ndikimi mund të jetë më i kufizuar në rajonet me kapacitete më të mëdha rafinimi vendas, si Gjermania, Italia, Spanja dhe Holanda.

Për Evropën, shqetësimi kryesor është se sa mirë mund të përballojnë rezervat dhe zinxhirët e furnizimit në afat të shkurtër dhe të mesëm, duke qenë se kontinenti tashmë po mbështetet në rezerva emergjente pas lirimit nga IEA të 400 milionë fuçive naftë më 11 mars.

Ngarkesat e fundit të karburantit për avionë që kaluan përmes Ngushticës së Hormuzit përpara mbylljes së saj pritet të mbërrijnë në portet evropiane rreth datës 10 prill, sipas Argus Media, një kompani globale e inteligjencës së tregut të energjisë. Pas kësaj, nëse kjo nyje strategjike nuk rihapet ose nuk sigurohen rrugë alternative, volumet hyrëse mund të bien ndjeshëm.

Megjithëse kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht një ndërprerje të menjëhershme të furnizimit, analistët paralajmërojnë se kjo shënon fillimin e një periudhe ku disponueshmëria fizike e karburantit për avionë mund të bëhet gjithnjë e më e pasigurt.

Reagimi i linjave ajrore ndaj rritjes së çmimeve

Shaw sugjeroi se muaji maj mund të jetë “më sfidues”, një skenar që ka gjasa të përkthehet në çmime më të larta biletash, tarifa shtesë për karburantin dhe ulje të kapaciteteve—përfshirë reduktimin e linjave jofitimprurëse.

“Këto masa, si pasojë e kostove të larta të karburantit për avionë, do të çojnë në ulje të kërkesës,” shtoi ai.

Analisti paralajmëroi gjithashtu se edhe strategjitë e mbrojtjes financiare (hedging) nuk janë plotësisht të mbrojtura nga luhatjet e çmimeve. Sipas tij, kompanitë që mbrohen vetëm përmes naftës bruto ose instrumenteve financiare të lidhura me të, mbeten të ekspozuara ndaj diferencës së madhe të çmimit mes naftës bruto dhe karburantit për avionë.

Anita Mendiratta, këshilltare speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të Turizmit të OKB-së dhe eksperte e aviacionit, theksoi se karburanti për avionë nuk mund të ruhet në sasi të mëdha në aeroporte, pasi sistemi varet nga furnizimet e vazhdueshme nga rafineritë dhe tubacionet.

“Kjo do të thotë se edhe ndërprerjet e shkurtra mund të krijojnë shumë shpejt probleme operacionale, veçanërisht në aeroportet e mëdha qendrore,” tha ajo.

Ndërkohë, eksportet mujore të karburantit për avionë nga SHBA drejt Evropës arritën nivelin më të lartë në mars, duke iu afruar 400,000 tonëve, dhe kjo prirje pritet të vazhdojë. Megjithatë, ky volum mbetet shumë më i ulët se 1.4 milionë tonët e importuara nga BE-27 dhe Mbretëria e Bashkuar në maj 2025, duke treguar se ritmi i zëvendësimit të mungesës është i ngadaltë.

“Importet po orientohen drejt SHBA-së si një burim alternativ,” tha Shaw, duke shtuar se edhe rafineritë evropiane do të rrisin prodhimin për të përballuar mungesën.

BE-ja nxit dialog mes shteteve anëtare

E pyetur për furnizimin aktual me karburant për avionë në vendet e BE-së, Komisioni Evropian theksoi se rezervat emergjente—zakonisht një përzierje benzine, vajguri dhe karburanti për avionë—menaxhohen nga vetë shtetet anëtare, duke shtuar se nuk ka të dhëna të plota për çdo vend.

“Jemi në fazën e krijimit të një panorame të plotë të situatës në shtetet anëtare. Kjo çështje do të diskutohet në takimin e ardhshëm të grupit të koordinimit të naftës,” tha zëdhënësja e Komisionit, Anna-Kaisa Itkonen.

Para se të shqyrtohen masa të përbashkëta solidariteti për sigurimin e furnizimit me karburant për avionë, të cilat kërkojnë koordinim, ajo theksoi se hapi i parë është dialogu me shtetet anëtare.

“Këto janë kryesisht kontrata private mes linjave ajrore dhe furnizuesve (…) Është thelbësore që të bashkëpunojmë me shtetet anëtare për të kuptuar situatën e tyre dhe çdo masë e mëtejshme do të bazohet në këtë feedback,” shtoi ajo.