Ish-presidenti i vendit, Ilir Meta ka reaguar pasi GJKKO caktoi 27 Prillin si datë për nisjen në së gjykimit në themel të dosjes së tij.
Në një postim në rrjete sociale, Meta shkruan se do të jetë i pranishëm në çdo seancë, si shenjë respekti ndaj qytetarëve shqiptarë që u ka shërbyer në tre detyrat më të larta shtetërore, të Presidentit të Republikës, të Kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit.
Arrestimin e tij, Meta e quan një rrëmbim mafioz, i bazuar në gënjeshtra dhe falsifikime, ndërsa u bën thirrje gazetarëve të ndjekin çdo seancë të gjyqit të tij.
“Ejani për të mos humbur perlat e çmontimit të një procesi farsë, që do të nxjerrë në dritë të diellit se si Ramaforma është shndërruar në një “mundësi të madhe” vetëm për Kryekleptokratin e Tiranës dhe ndërkombëtarët e korruptuar si Charles McGonigal”- thotë mes të tjerash Meta.
Postimi i Metës:
Përshëndes caktimin e 27 Prillit si datën e nisjes së gjykimit tim në themel!
Do të jem atje, në çdo seancë, në respekt të të gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, që kam patur nderin t’ju shërbej në tre detyrat më të larta shtetërore, të Presidentit të Republikës, të Kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit.
Falenderoj dhjetëra gazetarë, të cilëve u është refuzuar kërkesa për të më intervistuar gjatë këtyre 19 muajve të rrëmbimit tim banditesk, e drejtë që nuk ju është mohuar as kundershtarëve të Putinit në Rusi.
I mirëpres të gjithë gazetarët dhe analistët më 27 prill në seancën e parë dhe i ftoj të jenë të pranishëm në çdo seancë.
Dihet se ku e ka selinë korrupsioni dhe krimi i organizuar në Shqipëri, atje ku ka hyrë Charles McGonigal dhe përfaqësuesi i Sinaloa-s.
Por ata që ende nuk kanë gjetur guximin ta marrin njëherë në pyetje Kryetarin e Organizatës, natyrisht që do të firmosnin rrëmbimin tim kriminal që e pa e gjithë bota.
Ejani më 27 prill të shikoni se si u justifikua ky rrëmbim mafioz bazuar vetëm mbi gënjeshtra dhe falsifikime.
Ejani të gjithë të shikoni se si DIA ishte një krijesë jo vetëm de facto, por edhe de jure amerikane!
Ejani të shikoni se si letërporositë janë nisur vetëm me qëllime mashtrimi të autoriteteve amerikane dhe të tjera!
Ejani për të mos humbur perlat e çmontimit të një procesi farsë, që do të nxjerrë në dritë të diellit se si Ramaforma është shndërruar në një “mundësi të madhe” vetëm për Kryekleptokratin e Tiranës dhe ndërkombëtarët e korruptuar si Charles McGonigal.