Një ngjarje e rëndë është parandaluar nga efektivët e policisë, pasi një 50 vjeçar ka tentuar të vrasë me armë zjarri një person tjetër.
Policia bën me dije se në ambientet e jashtme të një lokali në rrugën “Myslym Keta” në Tiranë, 50 vjeçari Agim Visha gjatë një konflikti për motive të dobëta, për një borxh prej 100 eurosh, ka nxjerrë armën dhe ka tentuar të vrasë 38 vjeçarin I.D.
Fatmirësisht nuk ka patur të lënduar, teksa Visha është arrestuar menjëherë nga policia, pavarësisht se ka tentuar të largohet.
Njoftimi i Policisë:
Tentoi të vriste me armë zjarri, një 38-vjeçar, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kapet menjëherë pas ngjarjes dhe arrestohet 50-vjeçari Agim Visha. Sekuestrohet arma e zjarrit (pistoletë me mulli) me municion.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, menjëherë pas njoftimit se në rrugën “Myslym Keta”, po konflikteshin dy shtetas, njëri prej të cilëve mbante armë zjarri, kanë organizuar punën për parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të përfshirë.
Si rezultat i veprimeve të shpejta policore të kryera në kuadër të operacionit të koduar “Respond”, u arrestua shtetasi A. V., 50 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas dyshohet se pasditen e djeshme, në ambientet e jashtme të një lokali, në rrugën “Myslym Keta”, është konfliktuar për motive të dobëta me shtetasin I. D., 38 vjeç, dhe ka tentuar ta vrasë atë, me armë zjarri pistoletë me mulli, që e mbante pa leje.
Shtetasi A. V. ka tentuar të largohet, por është kapur dhe vënë në pranga nga shërbimet e Policisë, menjëherë pas ngjarjes.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të metejshme.