Vdekja e 63-vjeçarit në Vlorë, viktima dhe djali i tij shkuan për t’u sqaruar për sherrin e nisur disa ditë më parë! Autorët ende në kërkim

Zbulohen detaje të reja nga ngjarja e rëndë e ndodhur pasditen e së premtes në Vlorë, ku humbi jetën 63-vjeçari Ismail Aliaj.

Burime për mediat bëjnë me dije se ngjarja e ka zanafillën në një konflikt të mëparshëm mes djalit të viktimës dhe autorit të sulmit.

Burimet bëjnë me dije se viktima, së bashku me djalin e tij, i cili mbeti i plagosur lehtë, kishin shkuar në rrugën “Gjergj Araniti” për t’u përballur me personin me të cilin kishin konflikt, me qëllim sqarimin e situatës. Në momentin e përballjes, autori i dyshuar ndodhej në automjetin e tij, së bashku me familjen.

Fillimisht, mes palëve ka pasur debate verbale, të cilat më pas janë përshkallëzuar në fyerje dhe përplasje fizike. Në konflikt janë përfshirë edhe dy persona të tjerë, të afërt me autorin, duke bërë që situata të dalë jashtë kontrollit.

Pas përleshjes fizike me grushte dhe shkelma, Ismail Aliaj humbi jetën në vend.

Ndërkohë, djali i viktimës ka marrë ndihmë mjekësore në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Pas ngjarjes, autori i dyshuar dhe dy personat e tjerë janë larguar nga vendi i ngjarjes me automjet dhe janë shpallur në kërkim nga policia.

Njoftimi i policisë:

Vlorë / Goditën me grushte, duke i shkaktuar vdekjen 63-vjeçarit, shpallen në kërkim 3 shtetas.

Vijon puna intensive për kapjen e tyre.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera për dokumentimin ligjor të ngjarjes së ndodhur më datë 03.04.2026, referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasit A. C., 31 vjeç, Xh. N., 34 vjeç, banues në Vlorë, dhe E. H., 23 vjeç, banues në Gjorëm.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se këta shtetas, më datë 03.04.2026, rreth orës 15:00, në rrugën “Gjergj Arianiti”, lagjja “Pavarësia 3”, Vlorë, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë goditur me grushte shtetasin B. A., 24 vjeç, dhe babain e tij, shtetasin I. A., 63 vjeç, banues në Vlorë. Si pasojë e goditjeve, shtetasi I. A. ka humbur jetën.

Po punohet intensivisht për kapjen e autorëve dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Vlorë për veprën penale “Vrasja me dashje”, e kryer në bashkëpunim.