Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e djeshme në qytetin e Bolonjës në Itali, ku një 12-vjeçar me origjinë shqiptare ka humbur jetën në mënyrë tragjike.
Mediat e vendin fqinj bëjnë me dije se viktima është identifikuar si L. Pisha, i cili ndërroi jetë pasi ra nga kati i tetë i një ndërtese në rrugën Via Piave.
Sipas informacioneve paraprake, i mituri po luante me dy shokë në tarracën e pallatit në momentin kur ndodhi ngjarja.
Dyshohet se 12-vjeçari ka shkelur mbi një dritare çatie prej pleksiglasi, e cila u thye papritur nën peshën e tij. Fillimisht ai është përpjekur të mbahet pas kornizës, ndërsa shokët e tij tentuan ta ndihmonin, por pa arritur ta shpëtonin. Për pasojë, ai ka rënë nga një lartësi e madhe, duke ndërruar jetë në vend.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë policia, zjarrfikësit dhe shërbimet e emergjencës, por çdo përpjekje për ta shpëtuar rezultoi e kotë.
I mituri, nuk jetonte në ndërtesën ku ndodhi aksidenti.
Pas ngjarjes, në vendin e tragjedisë mbërritën prindërit dhe familjarët e tij, të cilët shpërthyen në lot për humbjen e parakohshme të djalit të tyre.