Kuvendi kalon në votim pa debat projektligjet, PD braktis seancën! Bardhi: Niko Peleshi, vartës i rëndomtë i Taulant Ballës

Seanca e sotme plenare është shoqëruar me debate dhe përplasje të forta mes mazhorancës dhe opozitës.

Kreu i grupit të Partisë Socialiste, Taulant Balla kërkoi mbylljen e diskutimeve dhe kreu i Kuvendit Niko Peleshi e pranoi kërkesën duke kaluar në votimin e projektligjeve.

Por kjo procedurë hasi në kundërshtimin e menjëhershëm të opozitës, duke e akuzuar Niko Peleshin si një “vartës të rëndomtë të Taulant Ballës.

“Çfarë përfaqëson Taulant Balla e kanë të qartë të gjithë, por mungesa e kurajës nga kryetari i Kuvendit është shqetësuese. Duhet të nxjerrë përjashta një njeri që nuk njeh etikë dhe norma në atë seancë.

Miratuan 7-8 projektligje pa asnjë diskutim, pa kuptuar çfarë po voton Kuvendi. Në mënyrën si po e katandis parlamentin Niko Peleshi, nuk do jetë e largët dita kur Kuvendi të mos funksionojë më”- u shpreh kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi në një komunikimi me gazetarët jashtë dyerve të Kuvendit.

Kujtojmë se që në nisje të seancës pati debate mes opozitës e mazhorancës sa i takon njoftimit të djeshëm të Ambasadës amerikane se Shqipëria mund të jetë target sulmesh i shtetit iranian. Por për socialistët nuk është koha për alarm pasi nuk ka informacion për rrezik real.