I kërkuar nga SPAK për trafik droge, vetëdorëzohet në Spanjë Eralbi Breçani

Është vetëdorëzuar në policinë e Spanjës, Eralbi Breçani, i akuzuar për trafik droge. Eralbi Breçani është djali i nëndrejtorit të Policisë Tiranë, Erzen Breçani, ndërsa është shpallur në kërkim prej tre vitesh.

Vetëdorëzimi i tij në Spanjë pritet të pasohet nga procedurat ligjore për ekstradimin drejt Shqipërisë. Eraldi Brecani ka deklaruar se do te përballet me drejtësinë në Shqipëri dhe pritet të ekstradohet drejt vendit tonë.

Eralbi Breçani akuzohet se ka kryer veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”, dhe veprën penale të “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim me të pandehurin Erzen Breçani.

Sipas SPAK, Erzen Breçani me veprime aktive të kundraligjshme ka administruar dhe futur në qarkullim të ardhurat e përftuara nga i pandehuri Eralbi Breçani si rezultat i aktivitetit kriminal të trafikimit të narkotikëve nga vendet e Amerikës Latine në Evropë, me qëllim mbulimin e vërtetë të origjinës së tyre dhe vijimit të nxjerrjes së mëtejshme të të ardhurave nga aktivitetet tregtare ku janë injektuar këto të ardhura.

Nga aktet e administruara rezulton se veprimet e Erzen Breçani dhe Eralbi Breçani, kishin një synim të përbashkët, pengimin e identifikimit të origjinës së të ardhurave, produkte të veprimtarisë kriminale dhe integrimin e  tyre në qarkullimin civil, veprime të cilat janë në shkelje të nenit 287 i Kodit Penal.

Në këtë mënyrë ata  kanë fshehur dhe mbuluar natyrën e vërtetë, burimin e të ardhurave që kanë qenë produkt i një vepre penale, nën petkun e “investimit” në pasuri të paluajtshme apo në aktivitete tregtare në dukje të ligjshme.