REL: BE nuk bën kompromis me Shqipërinë për çështjen “Balluku”

Në vitin e kaluar, Shqipëria i ka hapur të gjithë kapitujt negociues, pavarësisht problemeve në sektorin e sundimit të ligjit.

Sikur edhe me vendet tjera kandidate, Komisioni Evropian e ka përmendur në Raportin e Progresit, në tetor të vitit të kaluar se shqetësimet kryesore për Shqipërinë përfshijnë rritjen e presionit politik në gjyqësor, luftën e dobët kundër korrupsionit dhe lirinë e kufizuar të medias.

Sfida e fundit ka të bëjë me refuzimin e deputetëve të Parlamentit të Shqipërisë për t’ia hequr imunitetin ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila është e akuzuar për korrupsion.

Deputetët nga Partia Socialiste në pushtet kanë refuzuar t’ia heqin asaj imunitetin dhe vendimi është mirëpritur prej vetë kryeministrit Edi Rama, i cili ka thënë se Parlamenti ka bërë “atë që do të bënte çdo shtet demokratik në Evropë”.

Brukseli nuk është pajtuar me deklaratën e Ramës se kërkesa për heqje të imunitetit nuk ka qenë në përputhje me Kushtetutën.

Radio Evropa e Lirë ka mësuar që diçka e tillë ka ndikuar drejtpërdrejt në rezistencën e disa vendeve anëtare që t’ia garantojnë Shqipërisë një të ashtuquajtur IBAR pozitiv.

IBAR është shkurtesë për Raportin mbi Vlerësimin e Përkohshëm të Standardeve ku vlerësohet përparimi në sundimin e ligjit, gjyqësor dhe luftën kundër korrupsionit, për Kapitujt kyç 23 dhe 24 në negociatat e anëtarësimit.

Derisa vendet e BE-së të mos e miratojnë në mënyrë unanime IBAR-in, Shqipëria nuk do të mund të ecë përpara në mbylljen e kapitujve.

Mali i Zi, për shembull, është dashur të presë për IBAR pozitiv, i cili është miratuar në qershor të vitit 2024, në mënyrë që të nisë mbylljen e kapitujve. Para këtij vendimi, hera e fundit që ka mbyllur kapituj ka qenë vitit 2017.

A mund të mbyllet njëri sy?

Pranimi i anëtarëve të rinj pa të drejtën e vetos, që aktualisht e kanë të 27 vendet anëtare të BE-së, është diçka për të cilën kanë avokuar, edhe Edi Rama, edhe Aleksandar Vuçiq në një artikull të përbashkët muajin e kaluar në të përditshmen gjermane, Frankfurter Allgemeine Zeitung, i cili i ka shtuar spekulimet se shtetet e Ballkanit Perëndimor “mund ta mbyllin njërin sy”.

Florian Bieber beson se brenda këtij kuadri ligjor është e pamundur të ndahen konsideratat politike nga kriteret e sundimit të ligjit.

“Sigurisht, elitat politike në Mal të Zi dhe Shqipëri e njohin momentumin politik dhe kanë prirje të jenë më pak të rrepta në lidhje me zbatimin. Megjithatë, në fund të fundit, nevojitet pëlqimi i 27 shteteve anëtare, i cili është larg të qenit i garantuar”, paralajmëron Bieber në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Komisionarja Kos ka folur në këtë drejtim në Parlamentin Evropian në fillim të marsit, duke e theksuar se statusi i liderit në këtë proces nuk garantohet përgjithmonë.

Ajo u ka thënë Shqipërisë, Malit të Zi, Ukrainës dhe Moldavisë që “përparimi duhet të arrihet përmes reformave”.

A mund të ndihmojnë “mekanizmat mbrojtës”?

Mekanizmat mbrojtës nuk janë diçka e panjohur në proceset evropiane.

Kur Bullgaria dhe Rumania janë pranuar në BE më 2017, Komisioni Evropian pati vendosur të miratojë anëtarësimin e tyre, pavarësisht reformave të papërfunduara në fushën e sundimit të ligjit, me kusht që dobësitë të vazhdojnë të adresohen pas anëtarësimit përmes të ashtuquajturit Mekanizëm Bashkëpunimi dhe Verifikimi, i cili mundësoi monitorimin pas anëtarësimit dhe vlerësimin e rregullt të progresit në gjyqësor dhe luftën kundër korrupsionit.

Ky mbikëqyrje pas anëtarësimit zgjati plot 16 vjet dhe përfundoi në vitin 2023.

Për Florian Biberin, ekzistojnë zgjidhje për dilemat e mundshme të shteteve anëtare, dhe sipas tij, zgjidhja qëndron në një periudhë kalimtare që do t’u lejonte anëtarëve të rinj t’i zbatonin reformat pas anëtarësimit.

Sipas tij, pranimi i Malit të Zi dhe ndoshta i vendeve të tjera në rajon do të sinjalizonte se ka një të ardhme për rajonin në BE.

“Një projekt i tillë politik duhet t’i bindë skeptikët midis shteteve anëtare dhe duhet të përfshijë gjithashtu mekanizma të qëndrueshëm për të siguruar që anëtarët e ardhshëm do të respektojnë sundimin e ligjit”, vlerëson Biber.

Megjithatë, ai beson se edhe nëse ndonjë anëtar i ri i plotëson të gjitha kriteret, nuk ka garanci se nuk do të ketë pengesa.

Diçka e tillë ka ndodhur në Hungari, Poloni ose Sllovaki disa vjet pas anëtarësimit në BE, kur problemet me pavarësinë në gjyqësor dhe sundimin e ligjit dolën në pah në këto vende, sepse autoritetet shpesh përpiqeshin të ndikonin në gjykata, të kufizonin liritë e medias dhe të zvogëlonin kontrollin mbi institucionet e pavarura.