Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha doli sot në një konferencë duke akuzuar ish-zv.kryeministren, Belinda Balluku se po tenton që t’i shpëtojë drejtësisë, duke kërkuar që të blejë pasaportë të huaj për të ikur jashtë vendit.
Nga selia blu, Berisha tha se Balluku “po përgatitet të blejë shtetësi për t’i shpëtuar në mënyrë përfundimtare përgjegjësisë para ligjit pasi ajo ka vjedhur në Shqipëri dhe shpërdoruar miliarda euro”.
Ndërkohë kryedemokrati kishte edhe një thirrje për vendet e huaja, ku Berisha pretendon se Balluku ka kërkuar shtetësi.
“Thirrja ime për komunitetin ndërkombëtar është asnjë pranim i kërkesës për shtetësi të një personi që në shërbim të Ramës qëndron në themel të krizës së madhe, në themel të varfërimit të një populli të tërë. Do të ishte shkelje e të gjitha konventave ndërkombëtare çdo pranim i kërkesave të saj”- u shpreh Berisha.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Ajo çka mund të informoj unë, të dhëna nga qytetarët dixhitalë, më pohojnë se Balluku, Lubia, është në kërkim të blerjes së shtetësisë dhe pasaportave jo në një por në disa vende. Përpjekjet e fundit të saj ka qenë për të blerë pasaportë me investim në Serbi. Thuhet se nuk janë kurorëzuar me sukses ato përpjekje. Pas disa përpjekjesh që bëri në vendet e Gjirit Persik. Pra Lubi Balluku po përgatitet të blejë shtetësi për t’i shpëtuar në mënyrë përfundimtare përgjegjësisë para ligjit pasi ajo ka vjedhur në Shqipëri dhe shpërdoruar miliarda euro. Gjatë periudhës së saj, ajo ka administruar 12 miliardë euro, më shumë se kushdo tjetër në historinë tonë kombëtare.
Por ajo ka vjedhur nga 90-100 për qind, kurrë autore e parë. Edi Rama qëndron pas çdo vjedhjeje. Tani kërkon të blejë shtetësi. Përpjekje të fuqishme ka bërë edhe në Beograd, ndërkohë po interesohet edhe në vende të tjera që e kanë këtë praktikë. Thirrja ime për komunitetin ndërkombëtar është asnjë pranim i kërkesës për shtetësi të një personi që në shërbim të Ramës qëndron në themel të krizës së madhe, në themel të varfërimit të një populli të tërë. Do të ishte shkelje e të gjitha konventave ndërkombëtare çdo pranim i kërkesave të saj. Iu bëj thirrje vendeve të Evropës dhe botës, institucioneve dhe bankave të huaja të ngrinë me urgjencë çdo llogari të Ballukut e Ramës.