Rrezik për përplasje të madhe, Irani paralajmëron sulme ndaj infrastrukturës energjetike

Irani ka paralajmëruar se do të godasë centralet elektrike në Izrael dhe ato që furnizojnë bazat amerikane në rajonin e Gjirit, nëse presidenti i SHBA-së, Donald Trump, realizon kërcënimin për të shkatërruar rrjetin energjetik iranian.

Në një deklaratë të publikuar të hënën, Garda Revolucionare iraniane theksoi se do t’i përgjigjet çdo sulmi në të njëjtin nivel, duke shtuar: “Nëse godisni energjinë elektrike, ne do të godasim energjinë elektrike”.

Autoritetet iraniane duket se tërhoqën më herët kërcënimet për sulme ndaj impianteve të desalinizimit, të cilat janë jetike për furnizimin me ujë të pijshëm në vendet e Gjirit.

Ultimatumi i Trump erdhi të shtunën, kur ai paralajmëroi se centralet energjetike iraniane do të shkatërrohen nëse Teherani nuk hap plotësisht Ngushticën e Hormuzit për të gjitha anijet brenda 48 orëve.

Ndërkohë, sulmet iraniane kanë çuar praktikisht në mbylljen e kësaj rruge strategjike, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm në botë.

Drejtori ekzekutiv i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Fatih Birol, deklaroi se kriza aktuale energjetike është më e rëndë se krizat e naftës të viteve ’70 dhe mungesa e gazit pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, së bashku.

Këshilli i Mbrojtjes i Iranit ka përshkallëzuar më tej kërcënimet, duke paralajmëruar se mund të bllokojë të gjitha rrugët detare në Gjirin Persik përmes vendosjes së minave detare, në rast se SHBA ndërmerr sulme të reja.

Sipas mediave iraniane, Ngushtica e Hormuzit mbetet e hapur për anijet që nuk lidhen me “armiqtë e Iranit”, ndërsa disa mjete lundruese nga India dhe Pakistani thuhet se janë lejuar të kalojnë.

Lufta, e nisur më 28 shkurt nga SHBA dhe Izraeli, ka shkaktuar mbi 2 mijë viktima dhe ka tronditur tregjet globale, duke rritur çmimet e karburanteve dhe frikën për inflacion.

Ndërkohë, alarmet për sulme ajrore u dëgjuan në pjesë të veriut dhe qendrës së Izraelit, përfshirë Tel Avivin dhe Bregun Perëndimor, pas paralajmërimeve për raketa nga Irani.

Ushtria izraelite njoftoi se ka nisur një valë të re sulmesh ndaj infrastrukturës në Teheran, ndërsa raportime të mediave ndërkombëtare flasin për të plagosur dhe viktima në zona të banuara.

Në rajon, Arabia Saudite konfirmoi se dy raketa balistike u lëshuan drejt Riadit, ku njëra u interceptua dhe tjetra ra në një zonë të pabanuar.

Ekspertët paralajmërojnë se sulmet ndaj rrjeteve energjetike mund të kenë pasoja katastrofike për vendet e Gjirit, të cilat varen në masë të madhe nga energjia elektrike për furnizimin me ujë të pijshëm përmes impianteve të desalinizimit.