Kryeministri Edi Rama do të mbledhë ditën e sotme, Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste.
Burime për mediat bëjnë më dije se mbledhja do të nis në orën 10:00. Sipas agjendës së bërë publike, fjalën hapëse do e mbajë Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi. Pas tij, kryesocialisti Edi Rama dhe të gjithë drejtuesit politikë.
Në këtë takim pritet të merren disa vendime, si agjenda e zgjedhjeve vendore brenda PS dhe përfshirja e Diasporës brenda Asamblesë Kombëtare të partisë.
Zgjedhjet brenda partisë parashikohet të ndahen në tre faza: 1. Zgjedhjet në Organizatat Socialiste: 16 prill – 15 maj 2026; 2. Zgjedhjet e kryetarëve të partisë të bashkive, 16 maj – 15 qershor 2026; 3. Zgjedhjet në strukturat e partisë jashtë vendit.
Socialistët do të nisin një fushatë të gjerë regjistrimi të anëtarësisë në disa shtete, ku jetojnë pjesa më e madhe e shqiptarëve: si Italia, Greqia, Gjermania, SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja.
Një nga pikat e projektvendimit synon evidentimin dhe krijimin e një baze të dhënash të anëtarëve dhe përkrahësve të PS jashtë vendit.
Mbledhja e Asamblesë së PS pritet të zgjasë deri në orën 15:00, por vetëm fjala e Klosit dhe Ramës pritet të jenë publike.