Këshilli i Ministrave merr vendimin, ulet me 20% akciza e karburantit në Shqipëri

Këshilli i Ministrave ka njoftuar një paketë të re masash për stabilizimin e çmimeve të karburanteve në vend, ku përfshihet rikthimi i Bordit të Transparencës dhe ulja me 20% e akcizës së karburanteve.

Sipas përllogaritjeve, aktualisht akciza e karburanteve pa TVSH është rreth 40 lekë për litër. Me uljen prej 20%, kjo vlerë zbret në 32 lekë për litër, duke krijuar një diferencë prej 8 lekësh për litër. Ky reduktim përbën një kursim të drejtpërdrejtë për kompanitë e tregtimit të karburanteve, i cili pritet të reflektohet në çmimin final për konsumatorët.

Duke marrë në konsideratë edhe efektin e TVSH-së, ekspertët vlerësojnë se çmimi i karburantit mund të ulet me të paktën 8 deri në 10 lekë për litër në tregun vendas.

Megjithatë, zhvillimet e fundit në tregjet ndërkombëtare kanë ndikuar në drejtim të kundërt. Gjatë ditës së djeshme, çmimi i naftës në pikat kryesore të tregtimit në vend është rritur me 10 deri në 15 lekë për litër, duke arritur në nivelin rekord prej 2014 lekësh për litër, më i larti që prej periudhës së krizës së shkaktuar nga lufta Rusi–Ukrainë.

Në tregjet globale, nafta aktualisht po tregtohet rreth 100 dollarë për fuçi. Ndërkohë, në fund të muajit shkurt, para nisjes së konfliktit në Lindjen e Mesme, një litër naftë në vend tregtohej mesatarisht me 170–175 lekë, ndërsa në bursa çmimi varionte nga 65 deri në 70 dollarë për fuçi.

Mbetet për t’u parë nëse ulja e akcizës do të jetë e mjaftueshme për të kompensuar rritjen e çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe për të sjellë një lehtësim real për konsumatorët shqiptarë.