Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për shtyp ka deklaruar se qytetari dixhital e ka informuar se Ergys Agasi është parë në Surrel me makinën e tij.
Sipas Berishës, së shpejti atij do t’i hiqet masa e arrestit, për shkak të një vendimi që pritet të marrë gjykata e Lartë për personat nën hetim.
Kryedemokrati u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen në protestën e 22 Marsit për të marrë në duar fatin e tyre.
“Sipas qytetarit dixhital ai është parë me makinën e tij, jo në eskortën e Edi Ramës, por është parë në një rrugë duke shkuar në Surrel. A fshihet ai në Surrel apo shkoi në takim në Surrel, nuk mund ta them. Por ju them me siguri se së shpejti do t’i hiqet edhe masa e arrestit, sepse Rama me Sokol Sadushin e çliroi Agasin nga masa e arrestit si person nën hetim. Nuk ka më masë arresti për Agasin. Kështu që gjithçka po shkon drejt konsolidimit të narkoregjimit dhe janë vetëm shqiptarët që do marrin fatin në duart e tyre. 22 marsi është dita e kryengritjes më të fuqishme paqësore që ka njohur Shqipëria në historinë e saj”, tha Berisha.