Sekuestrohen 738 kg mish pule në Tiranë, AKU pezullon aktivitetin e KMY-së

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka pezulluar aktivitetin e kompanisë KMY, pas zbulimit të një sasie të konsiderueshme mishi pule që paraqiste rrezik për shëndetin e konsumatorëve.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në ambientet e kompanisë “KMY”, inspektorët sekuestruan 738 kilogramë fileto dhe gjoks pule, për shkak të shkeljeve të rënda të standardeve higjieno-sanitare.

Sipas verifikimeve, mishi ishte trajtuar në kushte të papërshtatshme, pasi gjatë proceseve të ngrirjes dhe shkrirjes ishte vendosur drejtpërdrejt në tokë. Po ashtu, produktet ruheshin në ambiente ku u konstatua prani myku dhe ndryshku, duke përbërë një rrezik serioz për sigurinë ushqimore.

AKU Tiranë vendosi pezullimin e menjëhershëm të aktivitetit të subjektit deri në përmbushjen e plotë të kushteve ligjore. Ndërkohë, e gjithë sasia e sekuestruar prej 738 kilogramësh mish pule është asgjësuar.