Draft-rezoluta, Kuvendi i Shqipërisë shpall Iranin shtet terrorist

Kuvendi i Shqipërisë pritet të miratojë një rezolutë “për shpalljen e Republikës Islamike të Iranit si Shtet Sponsor i Terrorizmit dhe Shtet që përdor mjete terroriste”.

Sipas dokumentit të publikuar në faqen e Kuvendit të hënën vendimi bazohet në të dhëna ndërkombëtare për “financimin, trajnimin, armatosjen dhe drejtimin e grupeve dhe organizatave të armatosura jo-shtetërore të shpallura si entitete terroriste në disa rajone”, si dhe për sjelljen destabilizuese të kësaj republike në Lindjen e Mesme.

Në dokument ofrohet si arsye tjetër dhe fakti që Shqipëria ka qenë objekt i sulmeve kibernetike të Iranit në të shkuarën dhe të tashmen, pasi një sulm i ri kibernetik nga grupi i vetëquajtur “Homeland Justice” i lidhur me Iranin goditi infrastrukturën digjitale të Kuvendit.

Sipas draft-rezolutës Shqipëria “ka qenë vetë objekt i veprimeve armiqësore në hapësirën kibernetike, përfshirë sulmin e rëndë kibernetik ndaj institucioneve shtetërore shqiptare në vitin 2022, i atribuar strukturave të lidhura me Republikën Islamike të Iranit, si dhe përpjekjet e ditëve të fundit për sulme kibernetike ndaj sistemeve të Kuvendit të Shqipërisë”.

Me anë të këtij dokumenti që pritet të miratohet në ditët në vijim në parlament, shteti shqiptar ‘dënon’ mbështetjen nga Irani të akteve të terrorizmit, operacionet hibride dhe aktivitetet destabilizuese në rajone të ndryshme të botës si dhe shpreh solidaritetin e plotë me vendet mike të Gjirit Persik dhe me Turqinë, të cilat janë shënjestuar nga aktiviteti terrorist i sponsorizuar nga Qeveria e Republikës Islamike të Iranit.

Po ashtu dënon “aktivitetet e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) dhe entiteteve të lidhura me të për rolin e tyre në mbështetjen e organizatave terroriste, forcave të armatosura përfaqësuese dhe operacioneve destabilizuese”.

Në këtë frymë draft-rezoluta i bën thirrje qeverisë shqiptare që të shpallë menjëherë IRGC si organizatë terroriste dhe të shpallë gjithashtu Hezbollah si një organizatë terroriste ‘proxy’ të Republikës Islamike të Iranit.

Me këtë qëndrim shteti shqiptar i bashkohet Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Hollandës dhe një numri shtetesh anëtare të BE-së si dhe vende të tjera, të cilat i kanë ndërmarrë këto hapa më herët.

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Iranit kanë qenë të tensionuara prej vitesh për shkak të vendimit të qeverisë shqiptare për të strehuar si refugjatë disa mijëra muxhahedinë, pjesë e organizatës opozitare, MEK.

Muxhahedinët u zhvendosën në Shqipëri me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në verën e vitit 2022 institucionet shqiptare ranë pre e një sulmi masiv kibernetik, i cili kërcënoi paralizimin e shërbimeve publike, fshirjen e sistemeve dhe grabitjen e të dhënave shtetërore.

Sipas një qëndrimi zyrtar të qeverisë shqiptare, hetimi i kryer në bashkëpunim me agjenci të specializuara partnere të anti-terrorit digjital  zbuloi që sulmi ishte një agresion shtetëror, I sponsorizuar nga Irani./BIRN