Kriza në Ngushticën e Hormuzit: aleatët hezitojnë t’i bashkohen planit të Donald Trump kundër Iranit

Gjatë dy mandateve të tij në detyrë, presidenti amerikan Donald Trump nuk ka hezituar të kritikojë, madje edhe të sulmojë verbalish aleatët e NATO. Megjithatë, deklarata e tij e fundit se dështimi për të siguruar Ngushticën e Hormuzot do të ishte “shumë i keq për të ardhmen e NATO-s”, ka ngritur pikëpyetje për mënyrën si e sheh ai rolin e aleancës.

Ish-shefi i Shtabit të Mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar, Nick Carter, tha për BBC se NATO u krijua si një aleancë mbrojtëse dhe jo për të mbështetur luftëra të zgjedhura nga një prej anëtarëve të saj.

“NATO nuk është krijuar që një vend të nisë një luftë sipas dëshirës dhe më pas të detyrojë të tjerët ta ndjekin,” tha ai.

Deklaratat e Trump vijnë vetëm dy muaj pasi ai kishte bërë pretendime për Grenlandën, territor sovran i Danimarkës dhe njëkohësisht pjesë e aleancës së NATO-s, gjë që shumë analistë e shohin si një ironi politike.

Reagimet nga Evropa kanë qenë të drejtpërdrejta. Në Gjermani, një zëdhënës i qeverisë tha se lufta me Iranin “nuk ka të bëjë me NATO-n”, ndërsa ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius shprehu skepticizëm se flotat europiane mund të ndryshojnë situatën në terren.

“Çfarë pret Trump nga disa fregata europiane që marina e fuqishme amerikane nuk mund ta bëjë” tha ai.

Megjithatë, bllokimi efektiv i Ngushticës së Hormuzit nga Irani, përveç disa anijeve që transportojnë naftë drejt partnerëve si India dhe China – ka krijuar presion të madh mbi qeveritë perëndimore për të gjetur një zgjidhje të shpejtë.

Kryeministri britanik Keir Starmer deklaroi se diskutimet me SHBA-në, partnerët europianë dhe vendet e Gjirit janë në vazhdim për të gjetur një plan të zbatueshëm, por shtoi se ende nuk është arritur në fazën e vendimeve konkrete.

Një nga opsionet që po shqyrtohet është përdorimi i sistemeve autonome për zbulimin dhe neutralizimin e minave detare. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se teknologjitë e reja nuk janë testuar ende në kushte lufte.

Ish-komandanti i Marinës Mbretërore britanike, Tom Sharpe, tha se në javët e ardhshme mund të shihet nëse këto sisteme funksionojnë realisht në praktikë.

Përveç minave detare, Irani ka edhe kapacitete të tjera për të penguar lundrimin, përfshirë varka të shpejta të armatosura, dronë detarë dhe raketa nga bregu.

Presidenti Trump ka sugjeruar se mbajtja e hapur e Ngushticës së Hormuzit mund të përfshijë edhe sulme ndaj objekteve në bregdetin iranian. Por shumë aleatë të SHBA-së nuk duken të gatshëm të përfshihen në një përshkallëzim të tillë.

Në këtë situatë të tensionuar, vendet europiane po kërkojnë më shumë qartësi për objektivat ushtarake të SHBA-së dhe Israel në Iran para se të marrin vendime për përfshirje.

Ndërkohë, Bashkimi Europian po shqyrton zgjerimin e mandatit të operacionit detar në Detin e Kuq, një mision i nisur në vitin 2024 për të mbrojtur anijet nga sulmet e rebelëve Houthi në Jemen.

Megjithatë, misioni aktual përfshin vetëm tre anije luftarake dhe shumë vende të BE-së nuk shfaqin interes për një zgjerim të madh të operacionit.

Ndër aleatët europianë, presidenti francez Emmanuel Macron ka shfaqur më shumë gatishmëri për të ndërtuar një koalicion që do të shoqëronte anijet tregtare dhe do të garantonte lirinë e lundrimit, por vetëm pasi faza më intensive e konfliktit të ketë përfunduar.

Për momentin, aleatët e SHBA-së po tregohen të kujdesshëm për t’u përfshirë drejtpërdrejt në konflikt, ndërsa thirrjet për ulje të tensioneve mbeten alternativa më e sigurt për të rihapur Ngushticën e Hormuzit.

Megjithatë, ndërsa zyrtarë amerikanë dhe izraelitë flasin për një fushatë që mund të zgjasë edhe disa javë, një zgjidhje e shpejtë për krizën duket ende larg.