Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se nuk ka pasur asnjë shqetësim apo presion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano, pas kompania u tërhoq në momentet e fundit.
Gjatë konferencës për shtyp me gazetarët, kreu i qeverisë deklaroi se forca të errëta kanë pasur interes që Porti i Ri mos të ndërtohet ndërsa shtoi se nuk ka të dhëna që kompania është gjendur nën presion, por sipas tij procesi është zhvilluar nën presion.
“Kompania që duhet të bënte ofertën e fundit tek Porto Romani është tërhequr, duke thënë se ka krizë. Nuk kemi të dhëna, që kompania është ndodhur nën ndonjë presion. Por gjithë procesi është zhvilluar nën proces, por jo nën presionin e SHBA-ve. Presion ka pasur nga faktorë të tjerë, që nuk kanë interes që porti të jetë histori suksesi. Kini parasysh, që nga A-ja, që disa thonë se për çfarë duhet një port i ri, se ne kemi atë kënetën në zemrën e Durrësit dhe e lidhnin idenë e Portit të Durrësit me shitjen e atdheut në duart e arabëve, në fakt e vërteta është se ka pasur forca të interesuara që mos ecte propjekti i Portit të Ri.
Porti i vjetër nuk është i përshtatshëm për të qenë nyje e Korridorit të VIII. Porti i Durrësit shërben si nyje kyçe për lidhje me Portin e Shkupit dhe me atë të Prishtinës, duke qenë me interes strategjik kombëtar. Ne do ndërtojmë bashkë me qeverinë e Kosovës, hekurudhën Durrës-Prishtinë.
Korridori VIII, me të cilin disa bëjnë lojëra fjalësh e disa nuk duan t’ja dinë se për çfarë bëhet fjalë, është një nga projektet më të rëndësishme edhe të vetë Europës. Në aksin Durrës-Prishtinë, ne nuk kemi akses në fondet e BE-së. Këto janë çështje kapacitetesh konkurruese, në hapësirë tregtare që nuk është e lehtë. Ne duam të bëhemi pjesë e një shtëpie, që zotëron një pasuri të madhe. Projekti i Korridorit të VIII ka kaluar nivelet e sigurisë së BE-së dhe të NATO-s dhe ka marrë vlerësime ndërkombëtare”, tha Rama.