Pas deklaratave të Gjermanisë dhe Britanisë mbi çështjen “Balluku”, të cilat kërkuan që të gjithë qytetarët të jenë të barabartë përballë ligjit dhe imuniteti të mos jetë pengesë për drejtësinë, ka ardhur edhe reagimi i kryeministrit Rama.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama thotë se Belinda Balluku nuk akuzohet për korrupsion, ndaj shumica bëri atë që do bënte çdo parlament i Europës, për të mos lejuar arrestimin pa gjyq.
Gjithashtu, ai thotë se të gjithë ata që pretendojnë se mazhoranca nuk ka respektuar normat, nuk kanë argumenta të mjaftueshme për ta fituar debatin mbi ekzistencën ose jo të kufirit mes pushteteve të pavarur kushtetues, të cilin sipas tij, parlamenti i Shqipërisë e mbylli sot.
Reagimi i Ramës:
Përshëndes deklaratat e ambasadave të Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë, me parimet e shprehura në të cilat jemi të gjithë shumë dakord, 100%.
Por duke qenë se që të dyja dolën sot, kur Kuvendi me plot të drejtë refuzoi heqjen e lirisë së një deputeteje në mungesë të plotë të kushteve për ta ndërmarrë një hap të tillë ekstrem dhe, njëkohësisht, duke qenë se Shoqata e Molotovarëve të Tiranës ka filluar të flasë edhe në emër të Gjermanisë, përfitoj nga rasti të theksoj:
• Kjo shumicë qeverisëse e ka mendjen të ndarë dhe busullën të palëvizshme: Shqipëria 2030 në Bashkimin Europian🇦🇱🦅🇪🇺
• Reforma në Drejtësi nuk kthehet mbrapa, pavarësia e gjyqësorit nuk preket dhe mbështetja për SPAK-un mbetet e palëkundur.
• Lufta reale kundër korrupsionit vazhdon, më këmbëngulëse se kurrë, siç e tregon qartë edhe pasqyra objektive e përditësuar e Komisionit Europian.
• Belinda Balluku nuk akuzohet për korrupsion dhe hetimi i çështjes duhet të vazhdojë, i patrazuar as nga pengimi as nga yshtja e SPAK-ut, prej faktorësh jashtë kufijve të pushtetit të pavarur gjyqësor.
• Shumica qeverisëse, bëri sot pa asnjë diskutim atë që do të bënte çdo parlament demokratik i Europës, ku kalimi i kërkesave të prokurorisë jo për arrestin pa gjyq të një deputeti si kjo kërkesa e sotme, po për të filluar apo jo hetimet, nuk është askund si kalimi pa asnjë lloj kontrolli i kufijve në zonën Shengen. Ai është një proces serioz, i bazuar në norma kushtetuese e ligjore, të cilat nuk janë as karta bianka, as dyer të mbyllura për prokurorinë.
Sot ne i kemi respektuar plotësisht ato norma dhe kush pretendon të kundërtën, ka të drejtën e vet të padiskutueshme, po s’ka argumenta të mjaftueshëm për ta fituar debatin mbi ekzistencën ose jo të kufirit mes pushteteve të pavarur kushtetues, të cilin parlamenti i Shqipërisë e mbylli sot duke treguar se dinjiteti i parlamentarëve nuk është material për eksperimente socio-politike, të cilat e bëjnë kurën më të rrezikshme se sa sëmundja që duhet të luftojë!
Ecim përpara, Shqipëria nuk ka plan B