Për Partinë Socialiste këto muaj nuk kanë qenë aspak të qeta, pas marrjes së pandehur nga SPAK të ish-numrit dy të qeverisë, Belinda Balluku.
Kjo e fundit, për të cilën Prokuroria e Posaçme ka kërkuar arrestimin, akuzohet për shkeljen e barazisë në tendera, kryer në bashkëpunim për Tunelin e Llogarasë dhe Unazën e Madhe.
Ndërkohë një muaj më parë, një tjetër kryebashkiak socialist do të dënohej me burg. Bëhet fjalë për Edison Memollën, kryetarin e Bashkisë së Rrogozhinës, për të cilin, Apeli i GJKKO la në fuqi dënimin me 1 vit burg, për akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhje kryer në bashkëpunim.
Vendimi u mor më datë 9 shkurt të këtij viti, por teksa kanë kaluar një muaj nga vendimi i formës së prerë, ende nuk është vendosur se kur do të zhvillohen zgjedhjet e reja në Bashkinë e Rrogozhinës.
Ligji për qeverisjen vendore, në nenin 61 parashikon që mandati i kryetarit të bashkisë ndër të tjera përfundon përpara afatit në rastet kur humbet zotësinë juridike për të vepruar me vendim gjykate të formës së prerë, siç ndodhi në rastin e Memollës.
Për rastet e përfundimit të mandatit të kryetarit përpara afatit, këshilli bashkiak njofton Këshillin e Ministrave nëpërmjet prefektit. Më pas Këshilli i Mandateve ia komunikon presidentit që shpall edhe datën e zgjedhjeve të pjesshme.
Por edhe pse vakanca duhej shpallur menjëherë për shkak të dënimit të Memollës, kjo nuk ka ndodhur. Qeveria duket se e ka “harruar”, kjo edhe për shkak të zhvillimeve në selinë rozë.
Zgjedhje e reja duhet të mbahen jo më herët se 30 ditë dhe jo më larg se 45 ditë që nga data e njoftimit të ndërprerjes së mandatit të kryebashkiakut, ndërsa vakanca duhet të ishte shpallur më herët. Por kjo nuk ka ndodhur ende, dhe nuk dihet se përse po zvarritet si proces.