Rriten çmimet e karburanteve, Konfindustria kërkesë qeverisë: Të ndërtohet impianti i përpunimit të naftës në vend

Konfindustria i ka kërkuar qeverisë që të fillojë sa më shpejt projektin e ndërtimit të impiantit të përpunimit të naftës shqiptare, si mënyra më efektive për përballimin e pasojave të paparashikuara ekonomike dhe sigurisë kombëtare nga lufta në Gjirin Persik.

Përmes një reagimi zyrtar, Konfindustria thotë se është e papranueshme që Shqipëria si vend zotërues i rezervave të mëdha të naftës, të jetë në varësi të plotë të importeve dhe lëvizjeve të cmimeve të tregjeve botërore.

Sipas Konfindustrisë, ndërtimi i impiantit shqiptar të përpunimit të naftës vendore është mjeti më efektiv i përhershëm për të lehtësuar pasojat shkatërruese ekonomike dhe financiare nga furnizimet dhe lëvizjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Deklarata e plotë:

Konfindustria i kërkon qeverisë të fillojë sa më shpejt projektin e ndërtimit të impiantit të përpunimit të naftës shqiptare, si mënyra më efektive për përballimin e pasojave të paparashikuara ekonomike dhe sigurisë kombëtare nga lufta në Gjirin Persik.

Në këtë rast kërkohet, që të ndryshojë Buxheti 2026, me qëllim përfshirjen e shpejtë të ndërtimit të impiantit të përpunimit të naftës shqiptare në vend si investim shtetëror. Gjithashtu, kërkohet të përmirësohet thelbësisht organizimi i prodhimit, tregëtimit, ngarkesës fiskale dhe monopolizimit të sotëm të gjithë tregut të hidrokarbureve.

Është krejtësisht e papranueshme, që Shqipëria si vend zotërues i rezervave të mëdha të naftës, të jetë në varësi të plotë të importeve dhe lëvizjeve të cmimeve të tregjeve botërore.

Çmimi i naftës në tregun shqiptar po arrin në kufirin e 200 lekë/litër dhe parashikohet, që shpejt të rrezikojë tejkalojë kufirin e 250 lekë/litër të vendosur në vitin 2022 në rastin e fillimit të luftës në Ukrahinë.

Ndërtimi i impiantit shqiptar të përpunimit të naftës vendore është mjeti më efektiv i përhershëm për të lehtësuar pasojat shkatërruese ekonomike dhe financiare nga furnizimet dhe lëvizjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare.