PS prezanton sot raportin nga Këshilli i Mandateve për Belinda Balluku, Rama do të mbajë fjalim për ish-ministren

Partia Socialiste do të prezantojë në mbledhjen e sotme të Grupit Parlamentar raportin e nxjerrë nga mbledhjet e Këshillit të Mandateve mbi kërkesën e SPAK për arrestimin e ish-ministres së pandehur Belinda Balluku.

Mbledhja do të nisë në orën 10:00, teksa deputetëve socialistë u është bërë thirrje që të jenë të gjithë të pranishëm.

Në këtë takim pritet që të mbajë një fjalim edhe kryeministri Rama, që gjatë 3 muajve të fundit është bërë një mburojë për Ballukun, duke penguar drejtësinë të kryejë punën e saj.

Ndërkohë, në seancën plenare të 12 Marsit në Kuvend, deputetët do të votojnë nëse do t’i japin autorizim Prokurorisë së Posaçme të arrestojë Belinda Ballukun. Opozita e ka shprehur qëndrimin e saj pro arrestimit, ndërsa pritet me interes se çfarë do të bëjë mazhoranca, nëse do ta lërë drejtësinë të veprojë, apo do të bëhet mburojë dhe do të dalë kundër kërkesës së zyrtarëve të Bashkimit Europian për të zgjidhur këtë çështje.

Belinda Balluku është marrë zyrtarisht e pandehur, në 31 tetor 2025 dhe akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për “shkeljen e barazisë në tendera e ankande publikë” e kryer në bashkëpunim, në procedurën për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë dhe të Unazës së Madhe. Këto dy afera i kanë kushtuar buxhetit të shtetit qindra miliona euro.

Ndërkohë, SPAK ka nisur edhe një hetim pasuror ndaj ish-zv.kryeministres. SPAK ka adresuar disa shkresa në bankat e nivelit të dytë në Shqipëri për të kërkuar informacione mbi pasurinë e Ballukut, ndërkohë që kanë kërkuar të dhëna edhe në ILDKPI dhe disa institucione të tjera. Gjithashtu një hetim ka nisur edhe për kompanitë që kanë bashkëpunuar me ish-ministren.