Qeveria shqiptare po tenton prej disa vitesh të miratojë një ligj për krijimin, mbajtjen dhe menaxhimin e rezervave minimale të sigurisë së naftës bruto dhe nënprodukteve të saj.
Rezerva e sigurisë, sipas standardeve, përllogaritet në 90 ditë importe ose 61 ditë konsum, në varësi se cila shifër është më e lartë, dhe aktivizohet në situata të jashtëzakonshme, si mungesa e produktit ose kriza të natyrës gjeopolitike.
Drafti i parë, i propozuar në shkurt 2019, parashikonte një formulë bashkëmenaxhimi mes shtetit dhe sektorit privat, ndryshe nga modeli aktual, ku rezervat mbahen tërësisht nga kompanitë private dhe rafineritë. Sipas këtij modeli, 60 ditë të konsumit mesatar do të mbaheshin nga një ent publik, ndërsa 30 ditët e tjera do t’u përkisnin kompanive private.
Enti publik, që do të krijohej me ligj, ishte parashikuar të quhej Agjencia Shtetërore e Rezervave të Sigurisë së Naftës, në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE).
Ligji parashikonte që agjencia të funksiononte me vetëfinancim, përmes një tarife të caktuar në çdo litër karburanti të blerë nga rafineritë dhe shoqëritë e shumicës. Ky mekanizëm automatikisht do të ndikonte në rritjen e çmimit të karburantit për konsumatorin final, duke përfshirë një detyrim të ri fiskal.
Nga viti 2019, projekti ka kaluar herë pas here në diskutime brenda qeverisë, por vetëm në tetor 2025 u nxor për konsultim publik. Drafti i ri ruan në thelb strukturën e mëparshme: një autoritet publik jofitimprurës, i quajtur Autoriteti për Rezervën e Sigurisë, në varësi të MIE, dhe përcakton sërish një tarifë për krijimin dhe mbajtjen e rezervës.
Sipas nenit 10 të draftit, tarifat për detyruesit do të arkëtohen nga Autoriteti Doganor, gjatë mbledhjes së detyrimit doganor për mallrat me akcizë. Neni 11 shton që paguesit janë të detyruar të dorëzojnë të dhëna mbi pagesën brenda 30 ditëve pas përfundimit të muajit kalendarik.
Megjithëse projekti ende nuk është miratuar, operatorët e tregut parashikojnë kosto shtesë në qindra milionë euro, duke përfshirë blerjen, mbajtjen dhe logjistikën e rezervës së sigurisë. Kjo shifër do të pasqyrohej në tregun aktual, duke rritur kostot operative për kompanitë dhe potencialisht çmimin për konsumatorin final.
Lufta me Iranin rrit rrezikun për një krizë të re energjetike globale
Përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme dhe përfshirja e Iranit po krijon tronditje të forta në tregjet globale të energjisë dhe financave. Analizat e mediave ekonomike ndërkombëtare paralajmërojnë se një luftë e zgjatur mund të shkaktojë ndërprerje të furnizimit me energji, rritje të çmimeve të naftës dhe presione të reja inflacioniste në ekonominë globale.
Një nga shqetësimet kryesore lidhet me rrezikun që konflikti të prekë infrastrukturën energjetike të rajonit ose transportin e naftës përmes Ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme të tregtisë globale të energjisë.
Sipas një analize të publikuar nga “Bloomberg” me titull “Lufta me Iranin është një makth për tregjet e naftës dhe gazit”, theksohet ndër të tjera se një konflikt i gjerë në rajon konsiderohet prej kohësh si skenari më i rrezikshëm për tregun e energjisë. Në analizë theksohet se “një luftë e gjerë në Lindjen e Mesme është skenari më i keq për tregun global të naftës dhe gazit.”
Artikulli nënvizon se rajoni i Gjirit Persik mbetet një nga qendrat kryesore të furnizimit global me energji dhe çdo ndërprerje në këtë zonë mund të shkaktojë reagim të menjëhershëm në çmimet e naftës dhe gazit.
Edhe revista ekonomike “The Economist” paralajmëron për ndikim të madh në tregjet globale. Në artikullin “Lufta në Iran mund të shkaktojë goditjen më të madhe në tregun e naftës në vite”, revista thekson se tregjet e energjisë janë veçanërisht të ndjeshme ndaj tensioneve në këtë rajon, pasi një pjesë e madhe e furnizimit global me naftë kalon përmes ngushticës së Hormuzit.
Çdo ndërprerje e trafikut të tankerëve mund të reduktojë ndjeshëm furnizimin global dhe të rrisë ndjeshëm çmimet e energjisë.
Në një tjetër analizë të publikuar nga “Bloomberg”, me titull “Nafta shënon rritje pasi konflikti shkakton frikën e ndërprerjes së furnizimit” theksohet se tensionet gjeopolitike kanë sjellë reagim të menjëhershëm në tregjet e energjisë.
Sipas artikullit, “tregjet e naftës reagojnë menjëherë ndaj çdo rreziku për furnizimin global, veçanërisht kur tensionet përfshijnë Lindjen e Mesme.”
Kjo situatë ka rritur ndjeshëm edhe pasigurinë në tregjet financiare. Investitorët kanë filluar të orientohen drejt aktiveve të sigurta si ari dhe obligacionet, ndërsa bursat kanë shfaqur luhatje për shkak të rritjes së rrezikut gjeopolitik.
Analistët paralajmërojnë se ndikimi i një konflikti të zgjatur mund të shkojë përtej tregut të energjisë. Rritja e çmimeve të naftës zakonisht përhapet në ekonomi përmes rritjes së kostove të transportit, prodhimit dhe ushqimeve.
Sipas një tjetër analize të “The Economist” në artikullin “Skenari makth i energjisë nga Irani po bëhet realitet” theksohet se tregjet globale po përballen me një rrezik real për një goditje të re energjetike. Artikulli thekson se “një konflikt i zgjatur mund të krijojë një krizë energjie që do të ndikonte inflacionin dhe rritjen ekonomike në shumë vende.”
Ekspertët theksojnë se vendet që varen nga importet e energjisë janë më të rrezikuara nga kjo situatë. Ekonomitë europiane dhe aziatike mund të përballen me rritje të kostove të prodhimit dhe me presione të reja inflacioniste nëse çmimet e energjisë vazhdojnë të rriten./Monitor