Forcat RENEA dhe struktura të tjera të Policisë së Vlorës kanë zhvilluar një operacion në zonën e Ujit të Ftohtë në qytetin e Vlorës.
Prokuroria e Posaçme AntiKorrupsion ka lëshuar këtë të shtunë disa urdhër-arreste për krime të rënda.
Burime për mediat bëjnë me dije se është zbardhur vrasja e Gentian Qarrit, ngjarje kjo e ndodhur në vitti 2021.
Teksa pritet që SPAK të dalë me njoftim zyrtar, mësohet se tre nga personat ndaj të cilëve është lëshuar urdhër-arrest janë personazhe të njohura të botës së krimit, përkatësisht, i shumëkërkuari Flodian Plaku (i njohur me nofkën “Pole Qorri”), Ervis Matodoshaj dhe Ines Hajrulla.
Gentian Qarri u vra më shkurt të vitit 2021, në afërsi të Bibliotekës të qytetit teksa u qellua nga nje makina ne levizje.
Qarri mbeti fillimisht i plagosur dhe u dërgua në spital, por si pasojë e plagëve të marra ndërroi jetë. Në vendngjarje u gjetën të paktën 11 gëzhoja, ndërsa viktima mori plumba në kraharor e këmbë.
Pak kohë pas ngjarjes, autoritetet gjetën të djegur një makinë Toyota me targa greke në Pyllin e Sodës, e cila dyshohej se u përkiste autorëve të ngjarjes. Në automjet, u gjet edhe një kallashnikov.
Qarri ka qenë i dënuar me 15 vjet burg në Itali për trafik droge dhe ishte rikthyer në atdhe 3 vite para se të ekzekutohej, ndërsa raportohet se ka punuar në fushën e montimit dhe riparimit të kondicionerëve.