Hakerimi i kompjuterëve të SPAK, GJKKO kalon për gjykim dosjen e 3 të pandehurve

Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e SPAK dhe ka kaluar për gjykim dosjen për tre të akuzuarit për hakerimin e kompjuterëve të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme.

Sipas GJKKO, për gjykim shkon ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Agim Ismaili, Zambak Gjoni dhe Arnold Rrokaj.

Nga sulmi kibernetik ndaj Prokurorisë së Posaçme, hakerët tentuan të merrnin informacione të klasifikuara nga kompjuterët e prokurorëve Behar Dibra, Enkeleida Millonai dhe Elida Kaçkini.

Sipas, SPAK hakerët nuk kanë mundur të depërtojnë në sistemin e brendshëm të IT- që sipas tyre mbetet i pacënuar- por kanë arritur që të marrin të dhënat nga adresat e emaileve të disa prokurorëve, por s’ka rrjedhje të dosjeve hetimore. 

Hakerët kanë tentuar që të ndërhyjnë edhe në emailin e kryeprokurorit Altin Dumani, por sipas SPAK nuk kanë pasur sukses falë masave të sigurisë.

Akuzat ndaj tre të pandehurve:

Arnold Rrokaj – “Hyrja e paautorizuar kompjuterike”, “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Zambak Gjoni – “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Agim Ismaili – “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.