Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, është takuar ditën e sotme me Koordinatorin Special të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për Migracionin e Paligjshëm, Gjeneralin Stuart Skeates.
Balla deklaroi se rezultatet e Task Forcës së Përbashkët për Migracionin janë mjaft domethënëse me një ulje prej 92% të rasteve të emigrantëve të paligjshëm shqiptarë krahasuar me vitin e kaluar.
“Sot në takimin me Gjeneralin Stuart Skeates, Koordinator Special i Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për Emigracionin e Paligjshëm, ndamë qëndrime për marrëdhëniet e shkëlqyera mes vendeve tona dhe rezultatet e Task Forcës së Përbashkët, të cilat janë domethënëse me një ulje prej 92% të rasteve të emigrantëve të paligjshëm shqiptarë krahasuar me vitin e kaluar.
Rasti më i fundit i riatdhesimit të 5 emigrantëve të paligjshëm shqiptarë brenda javës të cilët kishin udhëtuar drejt Britanisë së Madhe në mënyrë të paligjshme është shprehje kuptimplotë e bashkëpunimit dhe punës së agjencive ligjzbatuese shqiptare në luftën kundër emigracionit të paligjshëm.
Në takimin e Task Forcës së përbashkët diskutuam mbi rezultatet domethënëse dhe bashkëpunimi ekzistues me agjencitë ligjzbatuese britanike në fushën e emigracionit të paligjshëm, të cilat duhet të shtrihen edhe në fusha të tjera si lufta kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të lëndëve narkotike”, shkruan Balla.