Më datë 9 Mars, Apeli i GJKKO do të shqyrtojë masën e sigurisë ndaj ish-zv.kryeministres, Belinda Balluku.
Ndaj Ballukut, GJKKO ka caktuar masën e pezullimit nga detyra dhe atë të ndalimit për të dalë jashtë vendit.
Shqyrtimi nga Apeli i GJKKO ishte parashikuar të bëhej me datë 18 dhjetor në 2025-ës, por nuk u shqyrtua pasi më herët Kushtetuesja kishte pezulluar efektet e masës së pezullimit nga detyra.
Ndërkohë, SPAK ka kërkuar autorizim nga Kuvendi për heqjen e imunitetit me qëllim arrestimin e Ballukut.
Belinda Balluku është marrë zyrtarisht e pandehur, në 31 tetor 2025 dhe akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për “shkeljen e barazisë në tendera e ankande publikë” e kryer në bashkëpunim, në procedurën për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë dhe të Unazës së Madhe. Këto dy afera i kanë kushtuar buxhetit të shtetit qindra miliona euro.
Ndërkohë, SPAK ka nisur edhe një hetim pasuror ndaj ish-zv.kryeministres. SPAK ka adresuar disa shkresa në bankat e nivelit të dytë në Shqipëri për të kërkuar informacione mbi pasurinë e Ballukut, ndërkohë që kanë kërkuar të dhëna edhe në ILDKPI dhe disa institucione të tjera. Gjithashtu një hetim ka nisur edhe për kompanitë që kanë bashkëpunuar me ministren.