Me kërkesë të deputetëve të Partisë Socialiste, kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, është përjashtuar 20 ditë nga Sekretariati i Etikës në Kuvendin e Shqipërisë.
Në seancën e kaluar, Shehaj ngriti zërin në Kuvend për dhunën e Policisë së Shtetit dhe asaj private ndaj banorëve të Rrjollit, të cilët për më shumë se 1 muaj po kërkojnë të drejtën për pronat e tyre, të cilat me urdhër të ish-ministres së pandehur Belinda Balluku i janë dhënë biznesmenit Bashkim Ulaj.
Ky i fundit me kompaninë e tij do të ndërtojnë aty një resort turistik, ndërkohë që banorët janë ende në procese gjyqësore për pronat e tyre.
Në ndihmë të biznesmenit ka shkuar Policia e Shtetit, që në vend të jetë asnjëanëse, ka vendosur të mbrojë Uljan dhe të dhunojë e arrestojë protestuesit, mes të cilëve edhe gra dhe fëmijë.
Ndërkohë, asnjë prej deputetëve të Partisë Socialiste apo Partisë Demokratike nuk ka folur për problemin e banorëve të Rrjollit, të cilëve nuk ka denjuar t’u përgjgijet as qeveria e as Bashkia e Shkodrës, që kanë ulur kokën para Bashkim Ulajt.