Irani dërgoi bombardues drejt bazës amerikane, avionët luftarakë të Katarit i rrëzuan 2 minuta para sulmit

Dy bombardues iranianë iu afruan vetëm dy minuta larg objektivave të tyre në Katar përpara se të rrëzoheshin nga avionët luftarakë të këtij vendi, raporton CNN.

Sipas raportimit të CNN, të hënën në mëngjes Garda Revolucionare e Iranit dërgoi dy bombardues taktikë të epokës sovjetike Su-24 drejt bazës ajrore Al-Udeid, ku zakonisht janë të stacionuar rreth 10 mijë ushtarë amerikanë, si dhe drejt Ras Laffan, një prej qendrave kryesore të përpunimit të gazit natyror dhe një shtyllë e ekonomisë së Katarit.

Forcat ajrore të Katarit lëshuan paralajmërim përmes radios, por nuk morën asnjë përgjigje nga avionët iranianë, të cilët kishin zbritur në një lartësi fluturimi rreth 24 metër për të shmangur zbulimin nga radarët.

Për shkak të kufizimeve kohore dhe bazuar në provat e disponueshme, avionët u klasifikuan si armiqësorë. Më pas Katari dërgoi avionët e tij luftarakë dhe një avion F-15 u përfshi në një përplasje ajrore me bombarduesit iranianë, duke i rrëzuar ata.

Avionët iranianë u rrëzuan në ujërat territoriale të Katarit. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari, deklaroi se është duke u zhvilluar një operacion kërkimi për ekuipazhet e avionëve.

Incidenti vjen në një moment tensioni të lartë në rajon. Irani ka lëshuar qindra raketa dhe dronë drejt shteteve arabe përgjatë Gjirit Persik si hakmarrje për sulmet ajrore amerikane dhe izraelite ndaj vendit.

Sulmet e para të fundjavës goditën rëndë kompleksin në Teheran ku ndodhej lideri suprem iranian Ali Khamenei, i cili sipas raportimeve u vra gjatë valës së parë të bombardimeve.

Operacioni ajror mbi Katar shënon herën e parë që Irani përdor avionë me pilot për të synuar një vend fqinj pas vdekjes së Khameneit, si dhe herën e parë që forcat ajrore të Katarit përfshihen në një përplasje në ajër.

Kryetari i Shefave të Shtabit të Përbashkët të SHBA-së, gjenerali Dan Caine, e konfirmoi incidentin gjatë një konference për shtyp në Pentagon.

“Avionët luftarakë të Katarit për herë të parë rrëzuan dy bombardues iranianë që ishin në rrugë drejt një objektivi”, deklaroi ai, pa specifikuar destinacionin e avionëve.

Ndërkohë, në një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm iranian Abbas Araghchi, kryeministri i Katarit Mohammed bin Abdulrahman Al Thani e cilësoi incidentin si një veprim përshkallëzues.

Sipas tij, veprimi tregon se Irani nuk ka një dëshirë të sinqertë për ulje tensionesh apo për zgjidhje, por përkundrazi synon të dëmtojë vendet fqinje dhe t’i tërheqë ato në një luftë që nuk është e tyre.

Që nga fillimi i përshkallëzimit, Irani ka lëshuar më shumë se 400 raketa balistike dhe mbi 1.000 dronë drejt shteteve arabe të Gjirit, sipas qeverive rajonale.

Megjithëse shumica e tyre janë bllokuar nga sistemet e mbrojtjes ajrore, gjashtë ushtarë amerikanë humbën jetën të dielën kur një predhë iraniane arriti të depërtojë mbrojtjen dhe goditi një qendër operative të përkohshme në portin Shuaiba të Kuvajtit.