Është rënduar situata nga shembjet e dherave në aksin rrugor Librazhd-Përrenjas, tek vendi i quajtur Arrat e Gurrës.
Për shkak të rrëshqitjeve të dherave është dëmtuar edhe traseja e rrugës së re, pjesë e Korridorit VIII.
Ura ka degraduar plotësisht, asfalti është dëmtuar dhe duket se është i pariparueshëm.
Ndërkohë në ditët në vijim pritet të kryhet një vlerësim i thelluar tektonik dhe gjeodinamik i gjithë zonës ku po realizoheshin punimet nga kompania ANK shpk. Ekspertiza do të përcaktojë nëse territori përbën rrezik të përhershëm për infrastrukturë të rëndësisë kombëtare.
Shembja në aksin Librazhd-Përrenjas ka sjellë vështirësi të mëdha për banorët, të cilët janë të detyruar të përdorin rrugën alternative, gati të rrezikshme.
Qytetarët e Korçës, Pogradecit, Përrenjasit e Librazhdit për të ardhur në Tiranë duhet të lëvizin në rrugën Maliq – Gramsh, e cila jo vetëm zgjat distancën por nuk ofron siguri. Një alternative tjetër por më e mundimshme është nga Tepelena e Leskoviku. Ndërsa kamionët e Maqedonisë së Veriut lëvizin nga Rruga e Arbrit.