Erion Veliaj kërkon lirinë, sot seanca në Apelin e GJKKO-së

Apeli i GJKKO shqyrton sot ankimimin e bërë nga kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, teksa kundërshton masën e “arrestit me burg”.

Veliaj, i cili ndodhet në burg që prej një vitit,   kërkon zëvendësimin me një masë më të butë, duke propozuar edhe garanci pasurore si alternativë, apo çdo masë tjetër të parashikuar nga Kodi i Procedurës Penale, përjashtuar izolimin në qeli.

Veliaj u arrestua më 10 shkurt të vitit 2025, teksa akuzohet për pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në 9 raste, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.

Pjesë e dosjes “Veliaj” është edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa. Kjo e fundit akuzohet për korrupsion në 9 raste, mosdeklarim pasurie, fshehje të të ardhurave dhe pastrim parash.

Po ashtu në dosje është e përfshirë edhe ish-deputetja Klotilda Bushka për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Përmes hetimeve, SPAK ka zbardhur skemën korruptive që kryebashkiaku kishte ngritur së bashku me bashkëshorten e tij që ka synuar dhe bërë të mundur në praktikë marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë përmes titullarit të saj, me qëllim pasurimin personal të kryebashkiakut dhe familjes së tij përmes veprimeve të kamufluara dhe të kundërligjshme.

SPAK nënvizon se Veliaj me firmën e tij ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e fondeve publike si edhe lejet e ndërtimit tek disa subjekte tregtare, të lidhur ngushtë me të dhe këto fonde publike më pas kanë përfunduar tek disa organizata jofitimprurëse, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, persona fizikë të kontrolluar de jure dhe de facto nga bashkëshortja e tij, si edhe individë të afërt me këtë të fundit, duke krijuar një rrjet të dyshimtë e të komplikuar transaksionesh.